Një shqiptar në Portugali

Futboll

Një shqiptar në Portugali

Më: 5 mars 2020 Në ora: 14:20
Një shqiptar në Portugali

Besa këto vitet e fundit ka prodhuar jo pak talente, duke furnizuar ekipe edhe në Kategorinë Superiore. Portieri Mario Dajsinani dhe sulmuesi Blerim Krasniqi janë pjesë e Skënderbeut, Regi Lushkja është pjesë e Laçit, Jeton Krasniqi luan për Apoloninë, kurse Tedi Cara kaloi pak kohë më parë te Partizani.

SELITA – Një tjetër talent tashmë është larguar nga Besa. Sulmuesi Geri Selita ka firmosur për ekipin portugez Cd Tontela. Lajmin e konfirmon për gazetën trajneri dhe menaxheri i lojtarit, Ariel Shtini. Djaloshi 19-vjeçar kavajas u shpall kampion me Besën U-17 dhe fitoi Kupën e Shqipërisë. Sulmuesi potent sezonin e shkuar shkëlqeu me Besën U-19 dhe iu bashkua ekipit të parë të Besës, por nuk u aktivizua nga ish-trajneri i verdhezinjve, Gugash Magani.

Drejtuesit e Cd Tontelës kanë menduar ta aktivizojnë fillimisht Selitën me ekipin U-19 dhe në dy ndeshjet e para ai ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë dy asiste. Në një të ardhme të afërt sulmuesi kavajas do të debutojë me ekipin e parë. Besa humb kështu një tjetër talent si Geri Selita.

Interesimit të “Panorama Sport” në lidhje me shumën që ka përfituar Besa nga kjo lëvizje, presidenti Nexhat Bizhdili i është përgjigjur se nuk ka dashur ta pengojë lojtarin e ri për një karrierë më të mirë dhe nuk i ka nxjerrë pengesa sa i takon dokumentacionit.

Gjithsesi, klubi kavajas pritet të përfitojë një shifër modeste prej 6 milionë lekësh për taksën e formimit të lojtarit. Drejtuesit e klubit kanë në objektivat e tyre edhe promovimin e lojtarëve të rinj dhe në ndeshjet e fazës së tretë të kampionatit pritet që ata të kenë më shumë hapësirë. Kacbufi dhe Lila pritet të jenë gjithmonë titullarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat