Trajneri i Ferizajt: Angazhimi sjell fitore, kështu do të mbijetojmë në Superligë

Futboll

Trajneri i Ferizajt: Angazhimi sjell fitore, kështu do të mbijetojmë në Superligë

Më: 7 mars 2020 Në ora: 17:00
Ferizajt

Trajneri i Ferizajt, Burim Qerkini, është shprehur i bindur se skuadra e tij të do të arrijë të mbijetojë dhe të qëndrojë në Ipko Superligën e Kosovës edhe për sezonin e ardhshëm, pas fitores me rezultat bindës kundër Trepçës ’89.

Xhiroja e 22-të e Superligës së Kosovës nisi me sfidën Ferizaj vs Trepçës ’89. Vendasit arritën të rrëmbejnë tri pikë, pasi e mundën 4-0 Trepçën ’89.

Taulant Dajaku shënoi për 1-0 për të zhbllokuar ndeshjen në minutën e shtatë nga penalltia, derisa realizoi edhe për 2-0 në pjesën e dytë, në minutën e 51-të.

Golin për 3-0 e realizoi Edon Sadriu në minutën e 66-të, kurse për rezultatin përfundimtar 4-0 shënoi Hajderevic në minutën 87′.

Trepça ’89 luajti me një lojtar më pak për disa minuta, pasi në atë të 78’, Statovci u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, për t’u përjashtuar nga loja.

Kjo fitore bën që Ferizaj tani të jetë vetëm një pikë larg daljes nga zona e rrezikut. Aktualisht, Ferizaj është në pozitën e nëntë dhe duhet të dalë të paktën në pozitën e tetë për të mos rënë nga liga në fund të sezonit.

“Lojtarët e kanë kuptuar që duhet të hynë në fushë dhe ta japin maksimumin. Ata i zbatuan detyrat që ia kishim dhënë para ndeshjes dhe lojtarët i uroj për suksesin dhe angazhimin, ndërsa Trepçës ’89 i uroj suksese në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Qerkini, në intervistën e dhënë pas ndeshjes.

“Duke e ditur rëndësinë e kësaj ndeshjeje, iu qasëm asaj maksimalisht. Mendoj se paraqitja e lojtarëve ishte e mirë, angazhimi i lojtarëve. Besoj që do t’ia dalim [në garën për mbijetesë], ka ende lojë”.

Pas largimit të trajnerit Bekim Isufi, Ferizaj i mori dy fitore të rëndësishme kundër Llapit dhe Trepçës ’89. Qerkini beson që ajo që ka ndryshuar tani është përgatitja fizike e lojtarëve.

“Në Ferizaj ka ndryshuar përgatitja fizike. Sezonin e kaluar ishim pa përgatitje, kurse tani jemi të përgatitur maksimalisht. Angazhimi maksimal sjell fitore”, përfundoi Qerkini. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat