Munishi pas humbjes: Bëmë gabime, është e pafalshme

Futboll

Munishi pas humbjes: Bëmë gabime, është e pafalshme

Më: 9 mars 2020 Në ora: 16:24
Ismet Munishi

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi thotë se gabimet që i bënë lojtarët e tij ishin të pafalshme. Sidoqoftë, trajneri i njohur beson se therandasit do të kalojnë mirë në fazën e tretë të garave në IPKO Superligë

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi e ka komentuar ndeshjen e sotme me Flamurtarin, të cilën ekipi i tij e humbi me rezultat 1:2 në kryeqytet.

Therandasit u ndalën në kryeqytet pasi kishin dalë me kokën lartë në dy ndeshjet derbi paraprakisht.

“Gabuam, është e pafalshme. Por, ndodh kjo, nuk duhet ta bëjmë tragjike. Ne vijmë nga dy super ndeshje në derbi ndaj Prishtinës dhe Dritës. Fusha sot ishte e rënduar. Tentuam të riktheheshim, rrethanat ishin që kaq mund të bënim për shkak të gjendjes së fushës”, ka thënë Munishi pas ndeshjes për Super Sport.

Ballkani e mbylli fazën e dytë të garave në IPKO Superligë në pozitën e parë, kështu që do të ketë përparësi në fazën e tretë.

“Në shtëpi kemi pasur gjithmonë ndeshje dinjitoze dhe korrekte. Mendoj se do të dalim mirë në fazën e tretë”, ka përfunduar Munishi.

Përkundër humbjes, Ballkani gjendet në pozitën e parë në tabelë me 44 pikë të grumbulluara, një më shumë se Drita, e cila dje e mundi Prishtinën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat