Kush janë sllovenet për Afërditë Fazlijën?

Futboll

Kush janë sllovenet për Afërditë Fazlijën?

Më: 10 mars 2020 Në ora: 10:51
Kush janë sllovenet për Afërditë Fazlijën?

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes së kundër Sllovenisë. Kjo ndeshje luhet në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021.

Dardanet pas humbjes së të premtes nga Rusia (5:0) kanë zhvilluar tri seanca stërvitore. Të parën e kanë mbajtur mëngjesin e së shtunës në Wiesbaden, të dielën kanë stërvitur në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, derisa dje kanë zbritur në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, aty ku sot  në orën 18:00 do ta zhvillojnë duelin me sllovenet.

Gjatë këtyre dy ditëve përzgjedhësja Afërdita Fazlija me asistentët e saj Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli kanë punuar në aspektin psikologjik me ekipin, në mënyrë që motivi për këtë ndeshje të jetë në nivelin e duhur.

Po ashtu, rëndësi e madhe iu ka kushtuar edhe rreshtimit të skuadrës, sidomos në repartin e mbrojtjes, duke pasur parasysh pësimin e lehtë të golave në ndeshjen e kaluar. Do theksuar se për ndeshjen kundër Sllovenisë do të mungojnë Besiana Reçica dhe Flaka Asllanaj, të cilat kanë obligime të provimeve shkollore në vendet ku jetojnë, derisa në kombëtare pritet të debutojë Edona Kastrati.

Afërdita Fazlija tha: Gjatë këtyre dy ditëve jemi përpjekur të bëjmë rigjenerimin e forcave dhe më shumë kemi punuar në aspektin psikologjik, sepse ndeshja me Rusinë ka qenë me ngarkesa të mëdha dhe vetë forma e pësimit të golave nga vashat tregon se sa të ngarkime kanë qenë ato në atë sfidë.

Jemi përpjekur maksimalisht që t’i evitojmë gabimet e shfaqura në ndeshjen paraprake, në mënyrë që të mos marrim gola të tillë naiv.

Sllovenia ka ekip shumë të mirë, ndoshta për një nuancë edhe më të mirë se Rusia, por ne jemi në avantazh se luajmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Vajzat do të japin maksimumin dhe pres që të dalim me rezultat pozitiv.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat