Rama dhe Duka luftë të ftohtë në distancë - Bota Sot
Rama dhe Duka luftë të ftohtë në distancë

Futboll

Rama dhe Duka luftë të ftohtë në distancë

Më: 20 mars 2020 Në ora: 13:45
Rama dhe Duka luftë të ftohtë në distancë

Dy ditë me radhë Edi Rama i çoi mesazhe të forta Dukës. Kryeministri i Shqipërisë, që shquhet për batutën, por jo për gjëra të rastësishme, i përmendi presidentit të FSHF-së golat e Kombëtares në fund. Fillimisht e tha në “Open” të Eni Vasilit më 18 mars, e më pas e përsëriti sërish dje në mbrëmje te “Opinioni” i Fevziut! “Të mos e bëjmë si kombëtarja e futbollit, që e nis ndeshjen mirë dhe të krijon idenë se do ta fitojmë ndeshjen dhe pastaj i ha golat në fund dhe humbasim”, tha Rama dy ditë rresht.

Duke marrë në konsideratë rrethanat, faktin që futbolli është tërësisht i paralizuar dhe që Kombëtarja ka 5 muaj që nuk luan, nuk duket hiç rastësi që Rama merr ekipin Kombëtar si shembull zhgënjyes në këto ditë të vështira të koronavirusit. Fakti që përseriti dy herë të njëjtën gjë në mënyrë identike, të lë të kuptosh se Rama po i çon mesazhe të koduara Dukës.

Pse Dukës? Sepse presidenti i FSHF prej më shumë se një dekade përpiqet ta lidhë imazhin e tij më së shumti me Kombëtaren se sa me futbollin vendës. Shpesh herë është kritikuar, që për interesa të vetat, sillet më tepër si shef i ekipeve kombëtare se sa si shef i gjithë futbollit shqiptar.

Por është temë tjetër kjo…

Le të kthehemi te “shigjetat” që Rama i çoi Dukës dy ditë rresht dhe më pas përgjigja e këtij të fundit se dështoi ta fusë Shqipërinë në Europë. Rama i përmendi pikën e tij të dobët, Kombëtaren, dhe golat në fund. Me sa duket jo pa qëllim…

Për ata më naivët, që mund t’iu duket rastësi, golat në fund përgjithësisht kanë domethënie në gjuhën e basteve. Për “golat në fund” Dukën e kanë shpotitur edhe drejtues klubesh si Nexhat Bizhdili apo Albert Xhani. Kjo, sepse shpesh herë, në gjuhën e bastexhinjve golat në fund nënkuptojnë golat fals dhe ndeshjet e trukuara. Nuk dihet ende se çfarë mesazhesh po i çon Rama kreut të federatës në këto ditë pa futboll, por duket një raport i nderë.

Edhe “përgjigja” e Dukës nëpërmjet deklaratës së Mavrajt (madje e sponsorizuar në rrjetet sociale) ishte po aq edhe therëse: “Kombëtarja e Futbollit e çoi Shqipërinë në Europian, shpresojmë ta çojë edhe politika…”, shkruante Mavraj! Aq bukur, aq shpejt dhe aq pastër ishte shkruar ajo deklaratë, sa që të jepte përshtypjen se mjaftonte vetëm një klikim nga zyrat e FSHF që t’i shërbehej publikut.

Nuk dihet se çfarë ka ndodhur në këto kohë të vështira dhe të çuditshme, por kunja si këto në distancë Rama dhe Duka nuk i kanë lëshuar kurrë njëri-tjetrit. As kur Rama ia drodhi Dukës për Ligjin e Sponsorizimeve, as kur lejoi që Fino t’i vinte në rresht kryebashkiakët e majtë për ta rrëzuar nga froni dhe as kur i mbante FSHF-së 2 milionë euro taksë për paratë që dhuronte UEFA për stadiumin.

Madje disa herë i ka dalë në krah kur Berisha e akuzonte Dukën për 6 golat që pësonte Kombëtarja në Rumani, apo kur Bujar Leskaj ishte betuar me gozhdë në dorë se do ta mundte FSHF-në dhe kur Pango zotohej para doktorit se zgjedhjet i kish fituar PD-ja, jo UEFA. Tani situata është ndryshe dhe ka mbërritur te golat e dyshimtë të minutës së fundit, ata gola që zakonisht përdhosin ndeshjen, por sjellin shumë para...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat