Khedira është gati

Futboll

Khedira është gati

Më: 20 mars 2020 Në ora: 14:30
Khedira është gati

Masimiliano Alegri e kishte bekuar si “Profesori” dhe arsyeja nuk është e vështirë për tu kuptuar dhe për ta konfirmuar këtë mjafton të shohësh ndonjë prej ndeshjeve të tij të fundit, pas një mungese shumë të gjatë, dhe të ndalesh te lëvizjet e tij. Në futboll ka disa tipe lojtarësh, nga ata që luajnë me këmbë, por edhe nga ata që luajnë duke u përmbajtur te fiziku dhe mushkëritë.

Por Sami Khedira është një futbollist që vë në fushë trurin dhe për këtë arsye ishte një ndër të padiskutueshmëve të Alegrit, i cili nuk hiqte kurrë dorë nga leksionet në mesfushë që jepte gjermani, sidomos në ndeshjet vendimtare. Dhe sigurisht që një futbollist si ish-kampioni i botës nuk kishte sesi të mos fitonte as Mauricio Sarrin… Ja pse Khedira, më shumë i vlefshëm sesa spektakolar, i cili edhe gjatë periudhës te Reali i Madridit vërshellehej pasi mendonte pak për fazën dëfryese të lojës, mund të kthehet në asin e mesfushës bardhezi, për pjesën e mbetur të sezonit.

3 muaj mungesë – Sami Khedira e ka luajtur ndeshjen e fundit më 26 nëntor 2019, pak minuta në fundin e duelit mes Juventusit dhe Atletikos së Madridit në Champions. Në fund të muajit dhjetor ai vendosi t’i nënshtrohet një pastrimi në gjurin e majtë dhe 3 muaj më vonë u rikthye mes të grumbulluarve për Juventusin, në ndeshjen me Interin, ku nuk luajti asnjë minutë, dhe tani pret rifillimin e sezonit për të dhënë kontributin e tij. Dhe pa dyshim që për trajnerin Sarri, gjermani do të jetë një notë muzikore shumë e bukur, si ato që vetë Khedira tregoi dhe postonte shpesh në rrjetet sociale, ku shihej teksa periudhën e karantinimit e kalonte duke ushtruar hibin e tij, luajtjen në piano.

Ekuilibër dhe fat – Arsyen se pse Masimiliano Alegri e adhuronte dhe Mauricio Sarri e pret me padurim që ta hedhë në fushën e betejës e konfirmojnë qartësisht numrat e mesfushorit bardhezi, qoftë edhe në ato pak ndeshje që ka regjistruar në këtë sezon. Sami Khedira është vërtet një profesor në fushën e lojës, sepse në 17 takimet e luajtura prej tij mes kampionatit dhe kupave (13 prezenca si titullar), Juventusi jo vetëm që nuk ka humbur asnjëherë (11 fitore dhe 1 barazim në kampionat dhe 3 fitore dhe 2 barazime në kupa), por mbi të gjitha skuadra ka lëvizur në mënyrë më të rrezikshme në fushën e lojës, falë edhe inkursioneve prapa shpatullave të mbrojtjes rivale që bën “Panceri”.

E thënë ndryshe, në sfidat që Juventusi ka luajtur me Khedirën në fushë, ka shënuar mesatarisht 2.2 gola për ndeshje, ndërsa pa atë mesatarja zbret në 1.8 gola për ndeshje. Madje, edhe në momentet kur nuk ka shkëlqyer, vetë Mauricio Sarri e ka mbrojtur përpara medias së të gjithë botës: “Nëse Khedira për ju gazetarët mund të quhet një problem, atëherë jam i lumtur dhe do ta mbaj fort këtë problem”.

Lojë me tru – Dhe mbi të gjitha, nëse në fazën e parë të sezonit është parë më së shpeshti në aksion edhe Juventusi spektakolar i Sarrit, kjo vjen edhe si rrjedhojë e Sami Khedirës. Gjermani, i cili i ka munguar si oksigjeni torinezëve nga nëntori e në vazhdim, është ai “kirurgu” që në fazën mbrojtëse di sesi të qepë hapësirat që mund të lënë mbrojtësit e krahut kur kapen në kundërsulm, ndërsa në fazën sulmuese arrin që të lëvizë me zgjuarsi dhe të transformohet në një sulmues të fshehur në zonën rivale. Pikërisht ato lëvizje që nuk ka arritur t’i bëjë deri më sot Aron Ramsej, njeriu që duhet të rriste një nivel më lart cilësinë e mesfushës dhe fazës sulmuese bardhezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat