Pasi udhëhoqi Paris Saint Germain drejt kualifikimit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, duke shënuar dy herë në dy ndeshjet ndaj Borussias së Dortmundit, braziliani Neymar la menjëherë kryeqytetin francez për të udhëtuar në vendlindjen e tij.
Shkak u bë përhapja me shpejtësi e koronavirusit, që solli edhe ndërprerjen e futbollit, ndërsa neymar udhëtoi drejt Brazilit dhe po e kalon këtë kohë pushimi në vilën e tij në Mangaratiba.
Mediat franceze raportojnë se që kur la Parisin, ylli brazilian ka fikur telefonin dhe nuk i është përgjigjur asnjërit prej pjesëtarëve të klubit parizien, të cilët duan të shfrytëzojnë kohën për t’i rinovuar kontratën.
Marrëveshja aktuale që mban të lidhura palët skadon në verën e 2022-shit, por Neymar kërkon largimin dhe drejtuesit e PSG-së i kanë ofruar rinovimin e kontratës me terma më të mirë ekonomikë dhe me afat deri në 2025-ën.
Nëse braziliani do të refuzojë të nënshkruajë kontratën e re, atëherë klubi francez do të jetë i detyruar të dëgjojë ofertat në drejtim të tij këtë verë, për të mos rrezikuar ta humbë me parametra zero në të ardhmen.