E çmendur, 20 milionë euro në sezon - Bota Sot
E çmendur, 20 milionë euro në sezon

Futboll

E çmendur, 20 milionë euro në sezon

Më: 26 mars 2020 Në ora: 15:00
E çmendur, 20 milionë euro në sezon

Coronavirus ka kthyer përmbys jetën e të gjithë futbollistëve, por dikujt ka arritur t’i ndryshojë karrierën. Odion Ighalo luante në Kinë me Shanghai Shenua deri para pak javësh. Më pas nga Wuhan ka nisur pandemia, me kampionatin kinez që është pezulluar për një kohë të papërcaktuar.

Ndërkohë, nga ana tjetër e botës, Marcus Rashford është dëmtuar, duke e lënë United pa një qendërsulmues. Kështu, Solskjaer ka vendosur të huazojë pikërisht Ighalo, i cili është edhe një tifoz i zjarrtë i Djajve të Kuq. Edhe tani që Premier League është ndalur, vazhdohet të flitet për  të.

Huazimi i tij tek United përfundon më 30 qershor dhe nuk dihet se çfarë do të bëjë nigeriani, duke marrë parasysh se kampionati në Kinë mund të rifillojë më shpejt se në Angli. Sipas Sky Sports, United ka ndërmend ta blejë përfundimisht, por Shanghai Shenua nuk ka ndërmend ta lërë të largohet lehtësisht futbollistin e saj.

Kontrata e Ighalo me kinezët skadon në dhjetorin e 2022-shit dhe klubi i ka ofruar një rinovim me shifra të çmendura. Skadenca e re do të jetë në 2024-ën, kur Ighalo do të jetë 34 vjeç. Rroga? 400 mijë sterlina në javë, më shumë se 20 milionë euro në vit. Aq sa do  të mjaftontë për të bindur këdo, por ndoshta jo sulmuesin e United.

Ai nuk e ka fshehur kurrë dashurinë e tij për Djajtë, duke treguar se edhe motra e tij, e ndarë nga jeta disa vite më parë, do  të kishte qenë shumë e lumtur ta shihte të luante në Old Trafford. Me pak fjalë, Ighalo duhet të zgjedhë mes zemrës dhe... portofolit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat