Kapiteni i Vllaznisë: Duam rrogat

Futboll

Kapiteni i Vllaznisë: Duam rrogat

Më: 31 mars 2020 Në ora: 15:15
Kapiteni i Vllaznisë: Duam rrogat

Përplasjet në Këshillin Bashkiak të Shkodrës po lënë pa rroga lojtarët e Vllaznisë dhe zyrtarët e tjerë të klubit kuqeblu. Deri më tani kanë reaguar zyrtarisht për këtë çështje vetë Bashkia si institucioni që administron klubin, numri një i Këshillit Bashkiak, si dhe administratori Suad Lici. Ky i fundit ka sqaruar për “Panorama Sport” se fondin e ka gati, por nuk mund të bëjë likuidimet pa miratuar më parë Këshilli Bashkiak pasqyrën financiare të shoqërisë aksionere. Një ngërç që vjen edhe si pasojë e një përplasjeje që mund të ketë sfond politik.

Megjithatë, më të prekur në këtë situatë duket se janë futbollistët, të cilët kanë dy muaj që nuk paguhen. “Panoramasport.al” foli sot me kapitenin e Vllaznisë, Gilman Lika, i cili i bëri direkt një thirrje publike Këshillit Bashkiak të Shkodrës, që të lërë pas polemikat dhe të mendojë për lojtarët në këtë moment të vështirë. Mesfushori shkodran ka bërë edhe një apel për qeverinë shqiptare.

Gilman, përplasjet në bashki kanë lënë futbollistët pa rroga. Si kapiten skuadre, cili është qëndrimi juaj për këtë situatë?

Asambleja e klubit, që është pikërisht Këshilli Bashkiak i Shkodrës, duhet ta gjejë një zgjidhje për këtë problem. Kjo është në të mirë të Vllaznisë. Unë mendoj se është e palogjikshme kjo që po flitet në këto momente të vështira që po kalon vendi.

Keni një apel për Këshillin Bashkiak?

Ata në Këshill duhet ta kenë të qartë, se kontratat janë të firmosura dhe të rregullta. Duhet ta dinë që do t’i paguhen gjithsecilit futbollist për këtë vit atë që ka të nënshkruar, pasi çdo marrëveshje është e firmosur. Nuk e kuptoj pse ndodh kjo, sidomos në këtë moment, që nuk ka fare logjikë të krijohen probleme. Pasi të mbarojë sezoni, pastaj të bëjnë zgjidhjen si t’u duket atyre më e përshtatshme.

Sa paga keni pa marrë?

Kemi muajin shkurt 2020 dhe pas disa ditësh edhe muajin mars.

Klubet e Superiores dhe FSHF i kanë bërë një kërkesë qeverisë që t’i kompensojë ekipet pas ndalimit të të gjitha aktiviteteve prej përhapjes së koronavirusit. Keni një koment për këtë?

Mendimi im është që në këtë situatë duhet të ndihmohen të gjitha ekipet. Shteti do t’i bënte një dëm shumë të madh futbollit në Shqipëri nëse nuk kompensonte klubet. Çdo futbollist mban familjen me këtë gjë dhe s’mund të përjashtohen nga përfitimi kjo kategori. Janë më shumë se 1000 familje që dëmtohen. Mendoj se qeveria duhet ta shikojë seriozisht këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat