Ëndrra e madhe bëhet realitet

Futboll

Ëndrra e madhe bëhet realitet

Më: 3 prill 2020 Në ora: 13:05
Ëndrra e madhe bëhet realitet

Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi kanë ndarë më dysh botën e sportdashësve të futbollit, por për adhuruesit më të mëdhenj të këtij sporti vjen mundësia që të shohin dy asat dhe dy diktatorët e fushave të blerta dhe të çmimeve individuale të dekadës së fundit që ndoshta të luajnë në një skuadër së bashku.

Edhe pse ky lajm mbetet ende për t’u konfirmuar dhe ndeshja të ketë një datë konkrete, nga Anglia kanë nisur thashethemet se për në muajin tetor të këtij viti po bisedohet për të zhvilluar një mbrëmje gala, një miqësore bamirësie në stadiumin “Uembli”, ku protagonist do të jetë një skuadër e përbashkët e formuar nga lojtarë të Juventusit dhe Barcelonës, pra skuadrat e Ronaldos dhe Mesit, e cila do të sfidojë një formacion të përbërë nga yjet e skuadrave të Mançester Junajtid dhe Liverpulit.

Pa dyshim që nëse diçka e tillë do të konfirmohej zyrtarisht, të parit CR7-ën dhe “Pleshtin” në të njëjtin ekip do të ishte diçka mitike, historike, dëshira e qindra milionave tifozësh. Dhe ndoshta në këtë mënyrë do të bëhej realitet edhe “profecia” e Lionel Mesit e pranuar hapur në një prej intervistave të tij të fundit:

“Nëse do të luaj me Ronaldon në një skuadër besoj se po, do isha gati t’ia pasoja topin, t’ia jepja pasimin e fundit”. Tani mbetet vetëm të presim dhe të shohim nëse kjo ndeshje do të bëhet e mundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat