Totti ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme

Futboll

Totti ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme

Më: 3 prill 2020 Në ora: 15:56
Totti zbulon sekretet e karrierës

Francesco Totti ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme, e lidhur vetëm me dy ngjyra: verdhekuqe dhe blu. Nëse te Roma është bërë flamuri më i madh i të gjitha kohërave, me Italinë triumfoi në Kampionatin Botëror të vitit 2006. Duke folur në mikrofonat e “Sky”, ai iu rikthye disa fazave të rëndësishme të karrierës, duke filluar nga “Gjermania 2006”, një kompeticion që rrezikoi ta humbiste për shkak të një dëmtimi, shkruan telesport.

“Unë u lëndova në shkurt, ishte dëmtim shumë serioz. Profesor Mariani më operoi atë mbrëmje për frakturën e fibulës dhe këputjen e ligamenteve. Në atë moment isha i bindur që nuk do të shkoja në Kupën e Botës. Ai më tha se kishte bërë gjithçka dhe se në vazhdim do të varej nga unë. Të nesërmen më vizitoi Lippi, më foli me dashuri të madhe. Më dha forcën për të dalë nga ai tunel. Ndodhi falë tij dhe shokëve të mi të skuadrës, që arrita të fitoja trofeun më të rëndësishëm nga të gjithë”.

Marrëdhënia midis Totti dhe kombëtares italiane përfundoi mjaft herët: "E kisha marrë vendimin për t’u larguar nga Kombëtarja që para atij lëndimi. Kam luajtur 60 ndeshje në vit, kisha një problem mbrapa dhe m’u desh të hiqja dorë nga diçka. Unë nuk mund ta lija Romën mënjanë, ajo ka qenë jeta ime. Për fat të mirë, e mbylla me ekipin kombëtar pasi fitova një Kupë Bote”.

 

Totti pati mundësinë për të vazhduar karrierën e tij larg kryeqytetit, por preferoi t’u qëndronte besnik ndaj ngjyrave të një jete: “A mund të vazhdoja pas lamtumirës me Romën? Unë e respektoj atë që ka bërë Daniele De Rossi, të gjithë janë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre. Kam pasur disa mundësi, si në Itali, ashtu edhe jashtë saj, por kam pasur dyshime. Doja të vazhdoja të luaja, ndjeva se mund të jepja diçka më shumë, por në fund të fundit, edhe një vit, ose dy nuk do të kishin ndryshuar asgjë. Unë kisha bërë një zgjedhje dhe duhej të përfaqësoja një fanellë të vetme klubi. Të luaja një vit larg Romës do të kishte zhbërë gjithçka në këtë drejtim, një jetë të tërë”.

Në Itali ekzistonte një klub, mbi të gjithë, që përpiqej ta bindte: “Më donin në Amerikë, në Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe në Serie A. Sampdoria më donte me çdo kusht. Presidenti Ferrero është roman dhe romanist, ai kishte një vend të rezervuar për mua. Më tha se do të bënte çdo gjë për të më marrë në ekipin e vet”.

Në fakt, në fillim të karrierës së tij, kur Carlos Bianchi ishte në stolin e Romës, Totti ishte afër kalimit te Sampdoria: “Nëse nuk do të kishte qenë turneu i qytetit të Romës me Ajax dhe Borussia Monchengladbach, unë do të isha bërë lojtar i Sampdoria një javë më pas. Trajneri nuk më pa mirë, por ky turne ndryshoi gjithçka. Fatmirësisht, kam qëndruar te Roma, e cila e dinte se ku mund të shkoja më vonë”.

Dita e lamtumirës së tij me futbollin e luajtur ishte diçka e paharrueshme për shumë njerëz: “Duket sikur e gjithë kjo kohë nuk ka kaluar. Atë ditë u përmblodh e gjithë dashuria ime për Romën. Mbaj mend gjithçka, kam shpresuar se fundi nuk do të vinte kurrë. Ishte dita më e bukur dhe më e keqe në të njëjtën kohë. Unë pushova së luajturi, por mora shumë dashuri. Nuk mendoja se mund të qaja ashtu, nuk mund t’i duroja emocionet. Për mua fusha ishte gjithçka, e dija se çfarë mund të jepja dhe bëra gjithçka për t'i lumturuar tifozët e Romës. Unë e di se çfarë do të thotë të jesh romak dhe romanist”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat