Isa tregon një ngjarje të çmendur, kur e ftoi Dragan Xhajiçi e Zvezda dhe si u përgjigj!

Futboll

Isa tregon një ngjarje të çmendur, kur e ftoi Dragan Xhajiçi e Zvezda dhe si u përgjigj!

Më: 4 prill 2020 Në ora: 17:40
Isa tregon një ngjarje të çmendur, kur e ftoi Dragan Xhajiçi dhe si u përgjigj!

Harun Isa nga Tetova ka pasur një karrierë të suksesshme prej futbollisti në Gjermani, duke luajtur për 10 vite të plota nga sezoni 1993-94 e deri te viti 2004.

Ai luajti për disa klube si Hertha Zehlendorf (1993-1994), Hertha BSC (1994–1995), Tennis Borussia Berlin (1995–1999), Erzgebirge Aue (1999–2000), Union Berlin (2000–2002) dhe VfL Osnabrück (2002-2004). Te këta të fundit e mbylli karrierën në moshën 35 vjeçare.

Gazetari sportiv Reshat Ibrahimi ka kontaktuar me të për të folur rreth kësaj kohe, por edhe për karrierën e tij.

Harun Isa sot është 50-vjeç dhe jeton me familjen e tij në Tetovë.

Nga koha e tij në Gjermani, ai evokon shumë kujtime interesante, duke veçuar disa prej tyre.

“Kam shumë por do të veçoj dy prej tyre, një te Hertha BSC dhe tjetra te Union Berlin. Kur pata debutuar në Berlin për Hertha-n u inkuadrova në pjesën e dytë të lojës ndaj FC Saarbrücken. Rezultati ishte 1-1. Unë e dhash golin e fitores për 2-1. Dhe, në mbrëmje, në emisionin sportiv, komentatori tha s’e ku e ka fshehur Hertha këtë talent me një shpejtësi të veçantë. Momenti i dytë ishte me FC Union Berlin kundër Schalkes, në finalen e kupës së Gjermanisë, 26 maj 2001. humbëm 0-2.
Pas ndeshjes mora medaljen nga ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder, të cilit i thash se si shqiptar ndihem krenar që po marrë medalje nga ju, ndërsa ma ktheu se edhe ai ndihet i nderuar që shqiptarit ia jep këtë medalje të veçantë”.

Isa me nostalgji kujton kontaktet e tij me yjet e Bundesligës.

“Nuk kam ndejtur me shumë yje, por do ta veçoja si psh: Niko Kovac, Andreas Thom, Carsten Rameloë, Francisko Copado, ndërsa kundërshtar i kam pasur Trier, Jurgen Klopp e tjerë. Me Kloppin u takuam pas ndeshjes dhe u ndalëm për një kafe. Kjo ka qenë, normale, pasi ata nuk mbahen si yje”.

Ai tregon se me cilët futbollistë të njohur gjerman ka ndërruar fanellat pas ndeshjeve.

“Me Mehmet Sholin e Bayernit të Munichut. Ishte viti 1997, ishte ndeshje e kupës së Gjermanisë dhe pas përfundimit të ndeshjes shkëmbyem fanellat. Dhe, me Andreas Muller e Schalkes në finalen e kupës së Gjermanisë në vitin 2001".

I pyetur se kundër cilit mbrojtës e kishte më vështirë të luante, ai jep një koment interesant.

“Si sulmues kam pasur vështirësi me shumë mbrojtës, gjë që është normale. Por të them të drejtën se ai që më së shumti më ka shkaktuar probleme ka qenë Isa Sadriu, i cili në atë kohë luante për Hertha Zelendorf, kurse unë në Tenis Borussia, Liga e tretë. Ai ishte shumë i papërshtatshëm për mua, pasi ishim të dy të shpejtë. Kemi qenë edhe cimer”.

Sulmuesi i dikurshëm ka zhvilluar mbi 300 ndeshje në Gjermani dhe ka shënuar rreth 130 gola. Me golat e bukur të tij, ai ka lanë gojëhapur edhe fansat gjerman.

Ai e ka shumë vështirë të dalloj ndonjë gol, pasi shumë prej tyre janë të bukur.

“Nëse e kam patjetër, atëherë vecoj golin kur luaja për FC Union Berlin në ndeshjen ndaj Babelsberg. Fituam 3-0, ndërsa unë e pata shënuar golin e tretë prej afro 52 metra. Klubi më nderoi me një këpucë të artë dhe poshtë shkruhej:Gol brilant për FC Union, sezoni 2000/01. Harun Isa, 30 shtator 2000 kundër SV Babelsberg 03.
Por s’është vetëm ky gol, pasi si lojtar i Lirisë së Prizrenit ia kam kam shënuar dy gola të bukur edhe Crvena Zvezdës në Beograd për kup në vitin 1989. Golin e tretë ma anuloi referi kinse ofsajd. Ndeshjen e patëm humbur 8-2, por mos harroni Zvezda ishte në formë të madhe, pasi pas dy vitesh u bë kampion Europe”.

Isa përmend këto dy dallime në Bundesligë, nga koha kur luante.
“Mund të them se dikur Bundesliga ka qenë më e ashpër sesa që është sot. Në kohën time lojtari ndëshkohej me kartonë të verdhë, pas dy-tre starteve, ndërsa sot me një start ndëshkohesh. Dallimi tjetër është se dikur nuk pas pasur transferime të shtrenjta sikur që ka sot”.

Gjatë bisedës sonë, ai tregon për pengjet në karrierën e tij.

“Kam disa pengje, por dy prej tyre nuk mund t’i harrojë. E para, ishte mosrealizimi i transferit në Dinamo Zagreb në vitin 1989, kur mora ftesë nga Velimir Zajec. Transferi ishte gati i kryer, por nuk u realizua, sepse sulmuesi Stjepan Deveriq nuk u transferua në Panathinaikos në afatin e dimrit, mbeti për afatin e verës, kështu që unë nëse shkoja në Zagreb duhej të qëndroja në pankinë. Ndërsa te Liria nuk dëshiroja të qëndroj, për shkak të situatës që mbretëronte në atë kohë.
Dhe, e dyta, kur Dragan Xhajiqi i Crvena Zvezdës së Beogradit më ftoi, pasi kishin kuptuar se transferi në Dinamo ra në ujë. E refuzova këtë ofertë, pasi mendoja se si shqiptar nuk kam gjasa të luaj në Crvena Zvezda. Këto ishin gabime të mijat. Më pas nënshkrova kontratë katërvjeçare me skuadrën e Rad-it nga Beogradi”.

Isa tregon s’e çka i mungon sot më shumë.

“Më mungon topi, fusha, përjetimet në fushë dhe stërvitjet”.

Nga tre klubet e dikurshme ku kishte luajtur si: Prishtina, Rad i Beogradit dhe Liria, ai vecon një moment te Liria e Prizrenit, të cilin nuk e harron asnjëherë.

“Te të tre klubet kam pasur kujtime shumë të mira, por dua të ceki Lirinë e Prizrenit. Kur për herë shkova si lojtar i ri, dhe kur hyra në dhomat e zhveshjes lojtarët më bënë një pritje të ngrohtë. Isha i befasuar për të mirë. Më pranuan sikur të isha me vite lojtar aty. Edhe sot e kësaj dite i falënderoj të gjithë lojtarët, posaçarisht Rexhep Gaxhollin, nga i cili mësova shumë, pastaj Besim Çekun, vëllezërit Gjinali e të tjerë. Por edhe tifozët e Lirisë, të cilët nuk i harroj kurrë. Kam shumë respekt për të gjithë”.

Isa sot jeton dhe vepron në qytetin e Tetovës dhe merret me një biznes privat.

“Jetoj me familjen në Tetovë, ndonjëherë edhe në Gjermani. Kam dy vajza dhe një djal. Armiri luan futboll te të rinjtë e Shkëndijës, luan njëjtë si unë dikur, sulmues. Ndërsa, me dy vëllezërit e mi më të vjetër se kemi një shitore ‘Oto Netko’për auto pjesë të reja. Kam edhe licencën e FIFA-s për menaxher, por në pesë vitet e fundit nuk punoj, për shkak se nga shumë futbollistë dhe menaxherë jam tradhtuar. Jam i zhgënjyer nga kjo punë”.

Ndryshe, Harun Isa ka lindur me 21 qershor të vitit 1969 në Tetovë. Karrierën e filloi në Luboten (Liga e parë e Maqedonisë), duke luajtur nga sezoni 1983-1989, pastaj kaloi te Liria e Prizrenit (1989) ku qëndroi një sezon. Nga Liria transferohet te Rad i Beogradit (1990-1992). Brenda kësaj kohe u huazua dy herë, te KF Prishtina gjashtë muaj (viti 1991) dhe te Teteksi (janar 1992 - qershor 92), që garonin në Ligën e dytë ish jugosllave.

Në verën e vitit 1992 menaxheri tashmë i njohur botëror, Fali Ramadani e transferoi te Hertha Berlin (Bundesligë), me të cilët nënshkroi kontratë për një vit e gjysmë, por Hertha më pas e dërgoi në Hertha Zelendorf me qëllim që të përgatitet edhe më fuqishëm për sfidat e Bundesligës.

Në sezonin 1993/94, ai si lojtar i Hertha 03 u zgjodh golashënues i Ligës së tretë, ku në 29 ndeshje shënoi 22 gola. Dhe, si shënues më i mirë, Isa mori ofertë nga disa klube si: Hansa Rostok, Energie Cottbus, Wolfsburg dhe Bayer Leverkusen, por ai i mbeti besnik Herthës.
Siç e përmenda edhe më lartë, në vitin 2004, në moshën 35 vjeçare, e përfundoi karrierën e tij te skuadra e VfL Osnabrück.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat