Vazhdon kriza në Barcelonë: Korrupsioni vërhet dukshëm

Futboll

Vazhdon kriza në Barcelonë: Korrupsioni vërhet dukshëm

Më: 15 prill 2020 Në ora: 09:03
Barcelona

Ish-zëvendëspresidenti i Barcelonës, Emili Rousaud, është gati ta bëjë luftën ligjore me presidentin e klubit, Josep Maria Bartomeun, pasi që ai është i bindur se korrupsioni është evident në klub, përkundër që u padit nga klubi vetëm pak ditë pasi dha dorëheqje për një deklaratë të ngjashme.

Zëvendëspresidentët Emili Rousaud dhe Enrique Tombas janë në mesin e anëtarëve të bordit që kanë dhënë dorëheqje, bashkë me Silvio Elias, Maria Teixidor, Josep Pont dhe Jordi Clasamiglia.

Dorëheqjet e tyre u konfirmuan përmes një letre të ashpër drejt Bartomeut, pasi që ata kërkuan që të rizgjidhen anëtarët e bordit sa më shpejt që të jetë e mundur për t’u siguruar që Barcelona të mundë të kthehet nga sfidat me të cilat po e përball koronavirusi.

Bartomeu, i cili ka qenë në krye të gjigantit spanjoll që nga korriku i vitit 2015, ka qenë nën presion të madh në pozitën e presidentit gjatë këtij sezoni. Para se ata të jepnin dorëheqje, u raportua se Bartomeu po tentonte t’i detyrojë disa anëtarë të bordit të japin dorëheqje, pasi që mendonte se ata nuk janë besnikë ndaj tij. Më së shumti ai dëshironte ta largonte Rousandin, i cili konsiderohet si pasardhësi i tij në pozitën e presidentit.

Kjo e vazhdoi krizën e skandaleve këtë vit në Barcelonë, pas lajmeve se klubi e kishte punësuar një kompani për t’ia prishur reputacionin disa prej yjeve të skuadrës dhe legjendave të klubit, si dhe për ta promovuar reputacionin e Bartomeut. Ky skandal ishte ndjekur nga zënka publike e Lionel Messit me drejtorin e klubit, Eric Abidal.

Në letrën e dorëheqjes së tyre, gjashtë anëtarët e bordit drejtues të Barcelonës kërkuan ndryshim lidershipi, përderisa Rousaud shkoi një hap më tutje dhe pretendoi se dikush në bordin e Barcelonës po përfitonte nga paratë e klubit.

Pas kësaj, Barcelona i mohoi të gjitha akuzat për korrupsion dhe e bëri të ditur se do ta padisë Rousaud për akuzat, të cilat i quajti të rreme.

“Pas pretendimeve të pabaza të Emili Rousaud në një numër të intervistave, bordi i drejtorëve të Barcelonës i mohon të gjitha akuzat që mund të përshkruhen si korrupsion dhe ka marrë vendim t’i ndërmarrë veprime korresponduese ligjore”, thuhej në deklaratën e klubit katalonas.

Por, Rousaud është duke e përgatitur veten për këtë luftë ligjore, i bindur se korrupsioni është evident.

“Për qëllimin e vetëm që t’i përgjigjem lajmërimit që e publikoi Barcelona për ngritjen e një padie ligjore kundër meje sa u përket deklaratave të mia për rastin e skandalit të rrjeteve sociale, unë dua t’i theksoj disa gjëra”, shkruan Rousaud.

“1. Ekzistenca e korrupsionit brenda klubit është evident në faktin që tashmë është dëshmuar që kontratat me kompaninë e rrjeteve sociale janë paguar pjesë-pjesë në mënyrë që t’i shmangen kontrolleve të brendshme, miratimit nga Komiteti Gjykues dhe Bordit të Drejtorëve”.

“2. Deklaratat që unë i kam dhënë për këtë temë janë plotësisht të vërteta dhe të dëshmueshme; mendimet që unë i kam dhënë janë të bazuara dhe kjo më lejon të deklaroj që ankesa e Barcelonës nuk ka aspak bazë”.

“3. Për fat të keq, kur unë e bëra klubin të vetëdijshëm për këto parregullsi, kjo u bë shkak i dorëheqjes time. Megjithatë, nuk mund të nënvlerësohet që ka obligim ligjor dhe moral për t’i raportuar publikisht veprimet e parregullta që mund të përbëjnë krim”.

“4. Në këtë situata, unë e rezervoj të drejtën për ta vazhduar me padinë ligjore në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të mi legjitim, veçanërisht duke e konsideruar se ankesa e publikuar mund të jetë krim i akuzimit të rremë dhe krim i ofendimit, pasi që publikimi i saj u bë vetëm për ta dëmtuar reputacionin tim. Kjo çështje është në duart e avokatit tim, Zotëri Diego Artachos”.

“5. Unë nuk e kam vënë në dyshim kurrë nderin e klubit tonë të dashur dhe punëtorëve të tij – në të kundërtën. Unë ndihem shumë krenar që kam pasur mundësi t’i shërbej Barcelonës time të dashur dhe t’i takoj njerëzit të cilët punojnë në këtë klub me profesionalizëm të madh dhe cilësi njerëzore”.

“6. Qëllimi im gjithmonë ka qenë të jem konsistent me performacën time në bordin drejtues që nga fillimi, me veprime të udhëzuara nga transparenca, sinqeriteti dhe respekti dhe të mos e zhgënjej besimin që i ishte dhënë bordit në zgjedhjet e fundit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat