Rrëfimi emocionues i shqiptarit të Zvicrës

Futboll

Rrëfimi emocionues i shqiptarit të Zvicrës

Më: 17 prill 2020 Në ora: 13:10
Rrëfimi emocionues i shqiptarit të Zvicrës

Në një intervistë për “Regiofusball”, Kukeli ka rrëfyer gjithë historinë e suksesit me Shqipërinë, duke zbuluar një detaj interesant, ku tregon se e rrefuzoi ftesën e parë të Kombëtares

Burim Kukeli ishte një nga lojtarët e preferuar të Xhani De Biazin në Kombëtare. I heshtur, punëtor dhe më pak i përfoluri në media, mesfushori nga Gjakova, arriti të shndërrohej në një lider të mesfushës, teksa dha një kontribut të çmuar me fanellën kuqezi, në realizimin e ëndrrës së madhe, për të shkuar në Evropianin e Francës.

Në një intervistë për “Regiofusball”, Kukeli ka rrëfyer gjithë historinë e suksesit me Shqipërinë, duke zbuluar një detaj interesant, ku tregon se e rrefuzoi ftesën e parë të Kombëtares.

“Unë e refuzova ftesën e parë të kombëtares, pasi më kontaktuan vetëm tri ditë para se të shkoja në pushime. U thashë: ‘Më vjen keq, nuk mundem, kam rezervuar pushimin’. Më pas nuk llogarita në ftesë tjetër”, tregon Kukeli. Por, disa javë më vonë erdhi mesazhi nëse ka dëshirë që të luajë me kombëtaren. Ai kishte, e po ashtu kishte edhe kohë.

Më 7 shtator të vitit 2012, Kukeli luajti ndeshjen e parë me Shqipërinë kundër Qipros në kualifikime për Evropian. Shqipëria fitoi 3-1. Katër vjet më vonë u kualifikua Shqipëria për herë të parë për Evropian.

“Në këtë kohë përjetova çdo gjë që mund të përjetosh në futboll”, ka treguar Kukeli.

Shqipëria në kualifikime kishte mposhtur edhe Portugalinë. Burim Kukeli në atë ndeshje pati punë me yllin Kristiano Ronaldo.

“Kundër Portugalisë, si Shqipëri nuk ke fare gjasa. Portugalia është në një nivel tjetër. Por, si skuadër arritëm që të mposhtnim Portugalinë”, ka treguar Kukeli.

Ai e kujton përballjen me Ronaldon.

“Nuk kishte shenja arrogance, shumë miqësor. Siç janë krejt yjet e mëdha. Më të vështirë janë lojtarët që nuk e kanë arritur nivelin më të lartë, por që mundohen të sillen si të tillë”, ka thënë Kukeli.

Detyra të mëdha prisnin Burim Kukelin dhe Shqipërinë në Evropianin 2016 në Francë, tetë vjet pasi që Kukeli vendosi të vendoste të gjitha kartat te futbolli.

“Para ndeshjes në Evropian me Zvicrën i thashë vetes: Shijoje momentin, edhe ashtu ke fituar. Ka qenë diçka shumë e bukur. Zviceranët dhe shqiptarët festuan së bashku në stadium. Në fushë ishte mjaft ndeshje e fortë, por edhe korrekte. Mendoj se kjo ndeshje u ka bërë shqiptarëve në Zvicër mirë, por edhe unë si zviceran kam fituar 1:0”, thotë Kukeli.

Pas Zvicrës pasoi ndeshja me Francën në prani të 60 mijë shikuesve në Marsejë. Grizmen, Paul Pogba e Kante ishin kundërshtarë.

“Ishte skuadër gjigante. Një kualitet të tillë nuk kam parë kurrë. Pogba u aktivizua vetëm në pjesën e dytë dhe menjëherë ndryshoi ritmi i lojës”, tregon Kukeli.

Franca shënoi dy gola në minutat 90-të dhe 96-të e fitoi 2-0. Shqipëria u eliminua.

“Për mua Evropiani ishte si një vizitë në një botë tjetër. Shkoi shumë shpejt”, tregon mesfushori.

Në shtëpi në Zvicër e priste Kategoria e Dytë me Zuerichun në vend të Parisit. Nuk kishte më 60 mijë shikues. 

“Mentalisht ishte e rëndë, të stërvitem për Kategorinë e Dytë menjëherë pas Evropianit”.

Një vit më vonë Burim Kukeli u përshëndet nga Zuerichu, pasi me klubin u ngjit në elitën e Zvicrës. Ai me Sionin firmosi kontratë dyvjeçare. Ai kishte menduar se Sioni do të jetë ndalesa e fundit. Ai luajti vetëm 14 ndeshje me Sionin dhe mori një lëndim tjetër.

“Pas dy vjetëve Sioni vendosi të mos më vazhdonte kontratën. Nuk mund të ankohem, pasi isha shpesh i lënduar”, thotë mesfushori. “Por, po të dinte Sioni se do të kthehesha sërish në nivel që jam tash te Kriensi, do të ma kishte vazhduar kontratën”.

Me të ardhmen sportive të hapur, sërish kontaktoi Bruno Gallikeri, personi që i ofroi atij kontratën e parë profesioniste. Kukeli ishte në pushime.

“Ishte një bisedë e mirë dhe në fund vendosa me zemër të provoja te SC Kriensi”, tregon Kukeli. “Te Kriensi duhet të marr më tepër përgjegjësi. Por, ndihem shumë mirë këtu”, thotë Kukeli.

Mesfushori 36-vjeçar, i cili aktualisht është pjesë e Kriensit në Kategorinë e Dytë, foli gjithashtu edhe për karrierën e tij të larmishme.

“Unë po bëja praktikë te Rivella, stërvitesha tri herë në javë te Shotz,dhe zhvillonim një ndeshje në fundjavë. Por, e dija se kaq nuk mjaftone për t’u bërë profesionist. Unë kam dashur së paku të provoj, të përqendrohem plotësisht në futboll. Edhe nëse nuk do të funksiononte, nuk do të ishte fundi i botës. Por, së paku doja të provoja. Doja të luaja në Superligën e Zvicrës, pasi Kategoria e Dytë do të ishte e përkohshme. Jang Bojs më ftoi në prova. Martin Andermat ishte trajner. Pas një javë ai më dha një fanellë të Jang Bojsit, me numër 18. Unë mendova se e sigurova transferimin.”

Por, Jang Bojs nuk u bë i gjallë dhe transferoi pak kohë më vonë Sven Luscherin nga SC Kriens.

Burim Kukeli vazhdoi të mendonte nëse mund t’ia dilte. Bruno Galliker e donte mesfushorin luftarak qysh te SC Kriens dhe provoi edhe te FC Luzerni, ku ishte drejtor sportiv. Në moshën 24-vjeçare, Kukeli në dhjetor të vitit 2008 firmosi kontratën e parë me FC Luzernin.

“Ishte një hap i madh për mua. Dy stërvitje në ditë, këtë ritëm nuk e kisha provuar. Po ashtu duhej të përshtatesha në famën si lojtar i Luzernit. Në të gjitha që ndodhnin jashtë fushë, si angazhimet me media, terminët për të dhënë autografe për tifozët, për sponsor. Ishte një botë krejt tjetër për mua”, ka treguar Kukeli.

Një botë që në fillim gati sa nuk e përpiu. Një lëndim ia prishi fillimin e stinorit. U desh të merrej me rehabilitim në vend se të ishte në kamp stërvitor.

Lëndimet e kanë përcjellë Burim Kukelin gjatë karrierës, por edhe vullneti për t’u kthyer vazhdimisht në fushë.

Në momentin kur Kukeli arriti të depërtonte te Luzerni në stinorin e parë dhe luante rregullisht, erdhi një lëndim i meniskut që e mbajti atë jashtë fushe për disa muaj. Mjekët i thanë se rrezikohej karriera. Por, ai e gjeti rrugën e kthimit. Ai e kërkoi një fizioterapeut të vetin që do të forconte muskulaturën në këmbën e tij.

“Po ashtu stërvita si i çmendur, tri herë në ditë. Sot nuk do ta bëja këtë. Nuk ishte e shëndetshme për trupin tim”, thotë Kukeli.

Nga Luzerni u largua pas katër vjetëve, duke u bërë lojtar i stabilizuar në Superligë. Ai kaloi te FC Zyrih

“Unë do të qëndroja me dëshirë, edhe për më pak para. Por, Luzerni nuk deshi të më vazhdonte kontratën”, tregon Kukeli.

Por, Zyrih ishte klub i fatit për Kukelin. Ai fitoi Kupën e Zvicrës në vitin 2016 dhe u bë pjesëtar i rregullt i Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat