Harroi ‘pipin’ në zhveshtore në ndeshjen e parë ndërkombëtare, rrëfimi i sikletshëm i Genc Nuzës!

Futboll

Harroi ‘pipin’ në zhveshtore në ndeshjen e parë ndërkombëtare, rrëfimi i sikletshëm i Genc Nuzës!

Më: 19 prill 2020 Në ora: 21:05
Genc Nuza

Asnjë fans i futbollit dhe asnjë gjyqtar nuk do ta harrojë kurrë datën 27 mars të vitit 2017.

Ishte kjo data, kur më në fund gjyqtarët dolën për herë të parë për të gjykuar një ndeshje ndërkombëtare. Genc Nuza,Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj ishin gjyqtarët të cilët arbitruan takimin ndërkombëtar, Turqi – Moldavi.

Në rrëfimet e karantinës gjyqtari i jashtëzakonshëm, Genc Nuza tregon ndoshta edhe sikletin më të madh të karrierës së tij, që ndodhi pikërisht në debutimin e tij në atë ndeshjen e shumëpritur ndërkombëtare.

“Në ndeshjen e parë – në të cilën debutuam në arenën ndërkombëtare, pra ndeshjen historike për gjyqtarët, Turqi – Moldavi, unë isha gjyqtar kryesor, Fatlum Berisha ishte asistenti i parë, ndërsa Bujar Selimaj asistenti i dytë. Ne normalisht udhëtuam një ditë para ndeshjes, por për ne ishte diçka e jashtëzakonshme, pasi debutimi në një lojë të tillë ishte fantastike, kishte 40 mijë tifozë në stadium dhe dy kombëtare mjaft të mira. Gjithçka çfarë bënim ishte hera e parë, pasi më herët nuk kishim udhëtuar në një shtet tjetër – një ditë para ndeshjes, nuk kishim stërvitur në një stadium të tillë super modern siç është Eskisehir Stadium”, filloi rrëfimin gjyqtari më i mirë, Genc Nuza.

30 vjeçari, Genc Nuza vazhdon rrëfimin e tij duke treguar eksperiencën në ditën e ndeshjes, Turqi – Moldavi, ku ai dhe dy gjyqtarët tjerë do të ndanin drejtësinë në mënyrë perfekte.

“Ne kemi shkuar në stadium në ditën e lojës, kemi shikuar terrenin dhe kemi kryer procedurat. Kishim emocione, shteti ynë kishte pritur një moment të tillë për shumë gjenerata”, thekson ai.

Më pas, Nuza flet edhe për momentet kur ai dhe gjyqtarët filluan të nxehen para sfidës, ku zbulon se të tre kanë shpërthyer në lot, për shkak të emocioneve.

“Kur kemi filluar të bëjmë nxehjes para ndeshjes, ne kemi filluar të qajmë, i pari startoi Selimaj, ndërsa ne pas tij. Kemi pasur shumë emocione, sa që na rrjedhën lotët”.

Në fund, Nuza fillon rrëfimin prej së vërteti. Ai zbulon momentin super të sikletshëm që i ndodhi dy apo tre minuta para ndeshjes, pasi harroi bilbilin e takimit në zhveshtore. Si ndodhi kjo, na tregon në vazhdim, Nuza, i cili thotë:

“Pasi përfunduam procedurat, u rikthyem në zhveshtore. Zakonisht ne referët kryesorë para sfidave e fusim bilbilin e ndeshjes në ujë, pasi vepron më mirë, të njëjtën gjë e kam bërë edhe unë para asaj ndeshje. Me tu futur në stadium, pas intonimit të himneve, unë fillova ta bëjë shortin dhe në ato momente e kam kuptuar që më mungon bilbili! Paramendojeni, kur jeni në lojën e parë, para mijërave shikuesve, ke përgjegjësi për të gjykuar yjet e futbollit dhe e harron bilbilin. Mund ta paramendoni vet se si jam ndier unë në ato momente”.

Por, Nuza tregon se si e menaxhoi në mënyrën më të mirë të mundshme këtë situatë të sikletshme.

“Megjithatë, fatmirësisht e menaxhova shumë mirë situatën – pasi kolegu ynë i cili ka qenë gjyqtar i katërt, turku Alper Ulusoy – e kuptoi që unë nuk jam diçka rehat dhe përmes kufjeve ia kumtova lajmin dhe i kërkova ndihmë. Ai më tha se do të ma dhurojë bilbilin e tij, mirëpo nuk pranova, sepse është shumë vështirë të referosh me bilbilin e dikujt tjetër, këtë e dijnë shumë mirë të gjithë gjyqtarët. Isha shumë në distancë me zhveshtoret dhe mund të them se duheshin katër apo pesë minuta për të shkuar tek bilbili im. Por, gjyqtari turk – Ulusoy ka shkuar në zhveshtore dhe e ka marrë bilbilin dhe ma ka sjellur mua. Ne u kordinuam dhe ne bëmë një improvizim sikurse po përshëndeteshim dhe unë ia mora bilbilin, pa u vërejtur shumë ky detaj. Pastaj filloi ndeshja dhe ajo shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme!”, përfundoi rrëfimin ai.

Vlen të përmendet se Genc Nuza është gjyqtari më i mirë, kurse që nga ajo ditë e deri më sot ka bërë disa referime të ndeshjeve ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat