Deklarata të forta të Rashicës

Futboll

Deklarata të forta të Rashicës

Më: 21 prill 2020 Në ora: 13:20
Deklarata të forta të Rashicës

Milot Rashica është në qendër të vëmendjes, edhe pse futbolli ka ndalur. Sulmuesi anësor kërkohet nga klubet të Bundesliga dhe në Premier League. Më ketë pjesë merret menaxheri i tij, Altin Lala, ndërkohë që djaloshi nga Vushtrria ka dhënë një intervistë interesante për faqen zyrtare të Werder Bremen para disa kohësh. Rashica zbulon shumë gjëra, edhe jashtë e futbollit.

Miloti pëlqen flinë dhe byrekun, dëgjon Hip Hop, idhulli i tij është i mirënjohuri Viktor Paloka, i njohur me emrin e artit Unikkatil. Ai është personi që e motivon më shumë dhe para çdo ndeshje e dëgjon dhe pastaj zbret në fushën e blertë i karikuar dhe plot adrenalinë. Këto e të tjera gjëra të zbuluara nga Rashica, i cili rrëfimin e tij e nis duke treguar për gëzimet më të mëdha në futboll.

MOMENTET MË TË BUKURA – “Dy transferimet, fillimisht nga kampionati i Kosovës në atë holandez, kurse më pas kalimi te Werder Bremen. Të dyja këto lëvizje janë speciale për mua, por mendoj se dalja në vendin e parë në Ligën e Kombeve me Kosovën është momenti më i bukur. Ajo arritje kishte një rëndësi të madhe për të gjithë ne. Unë kam lindur në Kosovë, nisa shkollën atje, luajta futboll deri në moshën 18-vjeçare dhe vazhdoj të mbetem shumë i lidhur me vendin tim.

Shumë njerëz kanë humbur jetën në luftë, kanë humbur të afërmit e tyre dhe kanë vuajtur shumë. Ka pasur dhe ka akoma shumë konflikte. Ka qenë një rrugë e gjatë për të mbërritur te liria, ndërsa për shumë kohë nuk jemi njohur si federatë nga FIFA, prandaj ajo arritje ka shumë rëndësi për mua”, shprehet Miloti, i cili është padyshim një nga më të mirët futbollistë që Kosova ka.

VENDI I PREFERUAR – Sulmuesi nuk e fsheh dashurinë për vendlindjen, ndërkohë që tregon edhe vendin e preferuar në Shqipëria. “Kosova dhe vendlindja ime, Vushtrria, janë vendet e preferuara. Kur kam disa ditë pushim, më pëlqen të rikthehem në shtëpinë time në Vushtrri.

Ka disa plazhe shumë të bukura në Shqipëri. Isha para dy vitesh dhe qëndrova 4-5 ditë. Shumë turistë kanë filluar të shkojnë aty, shumica nga Norvegjia dhe Suedia. Rekomandoj Sarandën në jugun e Shqipërisë, sepse ka plazhe të mrekullueshme”, shton Rashica.

IDHULLI – Futbollisti dardan preferon CR7, ndërkohë që zbulon edhe një batutë të lëshuar për të kur luajti së bashku Claudio Pizarro. “Cristiano Ronaldo edhe për rolin që ka në fushë. Nuk mund të them që ai është më i mirë se Messi. Të dy janë lojtarë të pabesueshëm. Kur isha i vogël ndiqja ndeshjet e Realit, por dhe takimet e Bundesliga. Në rininë time kishim mundësi të ndiqnim vetëm ndeshjet e kampionatit spanjoll dhe atij gjerman.

Aty shihja dhe ndeshje të Verder Bremenit. Ishte periudha kur në ekip luanin emra si Klose, Pizarro, Diego dhe Ozil. Kur luajta bashkë me Claudion (Pizarro), njerëzit filluan të bënin shaka: “Kur Pizarro bëri debutimin e tij, Miloti ishte ende në kopsht…”. Kjo tregon se Werder Bremen është një klub i njohur në Kosovë”, shprehet autori i 7 golave këtë sezon me Werder.

MUZIKA QË DËGJON – Miloti ka një të preferuar dhe një idhull nga bota e muzikës, i cili e frymëzon atë. “Dëgjoj vetëm Hip Hop shqiptar. E kam të vështirë të zgjedh, pasi shumica janë shokë të mitë. Nëse do të më duhej të zgjidhja një të huaj, zgjedh AZET. Ai jeton në Gjermani, por ka lindur në Kosovë. Loredana dhe Mozik janë miq të mi.

Unë preferoj Mc Kreshën. Ai mbajti një koncert në Vushtrri, vendlindjen time, dhe doli në skenë me bluzën time. Ishte një surprizë e madhe për mua. Ai është gjithashtu një tifoz i madh i futbollit. Mund të përmend dhe emra të tjerë si: Ledri Vula, Capital T, Gold Ag dhe disa të tjerë.

Ekziston një artist, i cili më frymëzon dhe motivon shumë. Emri i tij është UNIKKATIL, është nga Kosova dhe jeton në Amerikë. Mendoj se ai është një nga reperët më të mirë në botë. Përgjithësisht dëgjoj këngët e Unikkatilit, përpara se të futem në fushën e blertë”, tregon sulmuesi i Werder Bremen.

SERIALET – Sikurse shumica e futbollistëve, Miloti e përdor shumë “Instagramin”. Gjithashtu ai shikon edhe seriale. Sulmuesi tregon të preferuarit. “Padyshim ‘House of Money’. Do të më kishte pëlqyer t’i shihja të gjitha seritë njëherazi. Më pas zgjedh ‘Prison Break’. Përgjithësisht i shoh serialet në anglisht, pasi më mëson të përmirësoj gjuhën”, shprehet djaloshi nga Vushtrria, që gjatë kësaj periudhe në izolim do ketë shtuar edhe ndonjë serial tjetër në listën e të preferuarve.

USHQIMI I PREFERUAR – Miloti në fund nuk i shmanget temës së ushqimeve dhe shpresohet që gjatë kësaj periudhe të mos ketë shtuar në pjesë. “E fejuara ime gatuan në mënyrë fantastike. Zakonisht preferojmë mishin dhe makaronat, por ajo mund të gatuajë gjithçka. Për shembull ne konsumojmë shpesh flinë, një gatim tradicional shqiptar. Mund të përmend dhe byrekun me djathë ose mish dhe bukën tradicionale shqiptare. Më pëlqen gjithçka që ajo gatuan”, përfundon Rashica, të cilin me shumë mundësi sezonin e ardhshëm do e shohim në skuadër tjetër..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat