Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja ka dhënë një prononcim për mikrofonin e “Kiss Kiss Napoli”, ku veç të tjerave ka folur për një transferim të mbrojtësit të Kombëtares, Marash Kumbulla, drejt skuadrës së Gennaro Gatusso.
Tekniku italian nuk i ka kursyer elozhet për shqiptarin. Reja gjithashtu ka folur edhe për mbrojtësin Amir Rrahmani i cili u la jashtë nga Gianni De Biasi. Tekniku aktual i stolit kuqezi e ka quajtur këtë një turp.
“Dua ta uroj Napolin që e transferoi Rrahmanin, e kam parë vetë këtë futbollist dhe ka për ta gjetur veten shumë mirë me fanellën e kësaj skuadre. Ai është kosovar, por unë do të dëshiroja ta kisha në skuadër sepse ai u thirr kur De Biasi ishte trajner në kombëtaren e Shqipërisë. Kosova e pyeti nëse dëshiron të jetë pjesë e kombëtares së tyre dhe ai tha ‘po’. Është një turp me të vërtetë, do të më pëlqente shumë me kombëtaren shqiptare.
Kumbulla është një lojtar i shkëlqyeshëm që mund të kapet te Verona. Napoli mund të bënte një goditje të madhe me të në merkato, por ka edhe shumë klube të tjera italiane që e duan në Itali. Milan, Inter dhe Juventus, por edhe skuadra të tjera të njohura jashtë Italisë.
Afrimi i Kumbullës do të ishte vërtet një tjetër goditje e madhe për të kaltrit. Unë kam kujtime të shkëlqyera te Napoli, i kujtoj me nostalgji ato vite. Akoma më dërgojnë video dhe foto, para disa ditësh më deeërguar një video nga fitorja kundër Interit me një gol të shkëlqyer të Zalajetës”, u shpreh Reja.