Cannavaro “kërcënon”

Futboll

Cannavaro “kërcënon”

Më: 29 prill 2020 Në ora: 15:21
Cannavaro “kërcënon”

Fabio Cannavaro ka aspirata të mëdha në fazën e tij të re si trajner. Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Juventusit e të tjerë e ka nisur karrierën në trajning te kinezët e Guangzhou Evergrande, por nuk e fsheh që aspiratat e tij janë të larta. “Fillova të punoj këtu, për t’u rritur hap pas hapi. Natyrisht që kam ambicie. Pse jo, një ditë mund të stërvis një klub si Real Madrid. Duhet të mendoj për majën, e cila është Real Madridi, kombëtarja italiane, ose një klub i madh në Europë...", - tha Cannavaro në një intervistë për portalin “Real Madridista”.

Fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2006, i cili luajti 94 ndeshje për të bardhët (2006-2009), pranon se kjo është diçka, që e ka në mendje. Pyetjes nëse do ta shohim së shpejti në “Bernabéu”, transalpini i dha përgjigjen e mëparshme, disi më të zgjeruar: “Shpresoj, shpresoj. Me të vërtetë, ëndrra që kam si trajner është të kthehem atje. Madridi është një vend i mrekullueshëm për mua".

Fituesi i Kupës së Botës më 2006 shprehu admirim për atë që ka arritur Zidane në stolin e bardhë: "Ai ka bërë diçka, që askush tjetër nuk do ta bëjë në botën e futbollit. Fitimi i tre Champions-ve radhazi është diçka shumë vështirë. Nuk besoj se do të përsëritet nga dikush tjetër në futboll”.

Ai, gjithashtu, kishte komplimente për njërin nga lojtarët aktualë të “Los Blancos”:  “Fede Valverde do të jetë më i miri në Madrid, në dhjetë vitet e ardhshme".

Me një ëndërr kaq të madhe, për t’u bërë trajner në “Bernabeu”, Cannavaro e ka një model në këtë profesion: “Unë kam pasur fatin të kem trajnerë si Capello, Lippi, Sacchi, Juande Ramos, Schuster. Janë trajnerë që kanë lënë diçka pas, që e kanë zgjeruar përvojën dhe vizionin tim për futbollin. Nuk jam fanatik i futbollit mbrojtës. Jo, jam lloji i trajnerit, që kërkon nga lojtarët të luajnë lirshëm...".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat