Rapinoe tregon pse gjykatësi gaboi

Futboll

Rapinoe tregon pse gjykatësi gaboi

Më: 5 maj 2020 Në ora: 15:39
Rapinoe tregon pse gjykatësi gaboi

Sulmuesja e ekipit kombëtar të vajzave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Megan Rapinoe, ka argumentuar se gjykatësi gaboi që ia hodhi poshtë akuzën për pagë të pabarabarta ndaj Federatës së Futbollit të SHBA-së, duke thënë se vajzat janë paguar ngjashëm me djemtë gjatë viteve të fundit vetëm për shkak se kanë pasur suksese shumë më të mëdha në krahasim me ta, e jo pse këtë ua ka mundësuar Federata.

Një gjykatës në Kaliforni mori vendim në favor të Federatës së Futbollit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në padinë e nisur nga vajzat e ekipit kombëtar të po të njëjtit vend, lidhur me diskriminim në baza gjinore.

Gjykatësi Gary Klausner vendosi javën e kaluar që ekipi i grave i SHBA-së të mos ketë të drejtë t’i prezantojë në gjyqin që do të mbahet muajin e ardhshëm dy ndër akuzat më të rëndësishme: atë për pagë të jobarabartë dhe atë për diskriminim në kushte të fushave.

Gjykatësi e mori këtë vendim me arsyetimin se akuzat nuk janë mjaftueshëm të argumentuara, pasi që dokumentet e Federatës tregonin se vajzat ishin paguar njëjtë ose më shumë sesa djemtë gjatë kohës së fundit. Megjithatë, Rapinoe argumenton se vajzat janë paguar aq pasi që kanë pasur suksese shumë më të mëdha sesa djemtë, e jo pse Federata u jep paga të barabarta për suksese të barabarta dy ekipeve.

 “Nëse unë e fitoj një dollar për çdo fitore dhe një burrë i fiton tre dollarë për çdo fitore, unë i fitoj dhjetë dollarë sepse i kam fituar dhjetë ndeshje, e burri i fiton nëntë dollarë sepse i ka fituar vetëm tre ndeshje. S’e kuptoj se si kjo do të thotë që unë paguhem më shumë”, ka thënë Rapinoe.

Përderisa vajzat arritën ta mbrojnë titullin e kampiones në Kupën e Botës që u zhvillua në Francë vitin e kaluar, djemtë e Amerikës as nuk arritën të kualifikohen për në Kupën e Botës të fundit. Kjo ka bërë që vajzat t’i sjellin Federatës më shumë përfitime sesa djemtë.

Mirëpo, pasi që dy akuzat e lartpërmendura janë larguar nga padia e ekipit të vajzave, elementi i vetëm i mbetur në padi mbetet ai për diskriminim në kushte të udhëtimit (aeroplanë dhe hotele) dhe personel e përkrahje (mjekësor dhe në stërvitje).

Tani Federata e Futbollit e SHBA-së dhe ekipi kombëtar i vajzave do të takohen sërish në gjyqin përfundimtar më 16 qershor, por edhe përfaqësuesit e tjerë të ekipit të vajzave të SHBA-së e kanë theksuar se do ta apelojnë vendimin e gjykatësit mbi të njëjtin argument si të Rapinoe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat