Ende nuk ka datë për nisjen e stërvitjes

Futboll

Ende nuk ka datë për nisjen e stërvitjes

Më: 9 maj 2020 Në ora: 14:06
Ende nuk ka datë për nisjen e stërvitjes

Përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit zhvilluan paraditen e sotme një takim me ata të Ministrisë së Shëndetësisë, në zyrat e këtij institucioni, ku tema kryesore ishte kërkesa e lejes për autorizimin e nisjes së stërvitjes.

Ashtu siç paralajmëroi edhe dje në emisionin “FanZone” Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, në takim pritej të diskutoheshin të gjithë mundësitë se si do të procedohej për të autorizuar nisjen e stërvitjes.

Nga sa mësohet, në takimin e sotëm FSHF-ja ka garantuar përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, se klubet e Superiores i plotësojnë kushtet për të nisur stërvitjen dhe më pas ndeshjet, sipas protokollëve të përcaktuar më herët.

Ndërkohë nga ana tjetër është theksuar mungesa e tamponëve, ndaj është vendosur që futbollistët të mos u nënshtrohen atyre, por të kontrollohen vazhdimisht nëse shfaqin apo jo simptoma të pandemisë.

Sa i përket datës së stërvitjes, pritet që Komiteti Teknik ta vendosë së shpejti, por gjasat janë që klubet e Superligës të zbresin në fushë më datën 11 maj, ose maksimumi më 18 maj, fillimisht për stërvitje të diferencuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat