Të gjitha sytë nga derbi i zjarrtë

Futboll

Të gjitha sytë nga derbi i zjarrtë

Më: 10 maj 2020 Në ora: 14:18
Të gjitha sytë nga derbi i zjarrtë

Është nëna e derbeve në Gjermani, kur Dortmundi luan ndaj Shalkes, e gjithë vëmendja është në krahinën e Ruhrit, aty ku tifozët e të dyja skuadrave përjetojnë një nga ndeshjet më të mëdha. Edhe pse këtë herë, ndryshe nga zakonisht, ata janë të detyruar t’i ndjekin skuadrat e tyre të zemrës nga televizori.

Ndeshja e parë midis tyre daton në maj të 1925-ës, atëherë fitonin blutë e Shalkes 4-2. Dominimi vazhdoi edhe për disa vite të tjera derisa Dortmundi arriti fitoren e parë në nëntor të 1943-shit. Shalke kishte fituar plot 20 ndeshje nga 21 të luajtura përfshi këtu edhe një sfidë miqësore. Të dyja klubet bëjnë pjesë në elitën e kampionatit gjerman prej shumë vitesh duke i dhënë një kuptim tjetër Bundesligës. Pas fitores së parë në derbi, Borusia nisi udhëtimin e saj të suksesshëm jo vetëm në ndeshje direkte me Shalken, por edhe në historinë e kampionatit gjerman.

Pas 1943-shit, bilanci i takimeve me Shalken ishte dukshëm në favor të tyre, 51-43. Javën që vjen, të dyja skuadrat do të kenë mundësi të shkruajnë një tjetër 90-minutësh në historinë e lavdishme të derbeve. Verdhezinjtë janë favoritë, edhe pse do të luajnë në shtëpi pa lojtarin e tyre të 12-të.

Skuadra e Favresë kërkon të mos i ndahet Bajernit të Mynihut, i cili është vetëm 4 pikë më lart në renditje. Duke shpresuar në një hap fals të bavarezëve, të cilët pas dy javësh do të jenë mysafirë në “Signal Iduna Park”, aty ku pritet të mësohet se cila do të jetë skuadra favorite për të fituar kampionatin. Në krahun tjetër, Shalke kërkon të blindojë vendin e gjashtë që do të dërgonte në Europa Ligë pas disa sezonesh mungesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat