Ju ka marrë malli për futboll? Bundesliga rikthehet sot me një super derbi

Futboll

Ju ka marrë malli për futboll? Bundesliga rikthehet sot me një super derbi

Më: 16 maj 2020 Në ora: 09:38
Borussia Dortmund dhe Schalke

Me maska gjatë hyrjes në qendrat stërvitore, me maska edhe kur paraqiten në konferencat për shtyp përpara ndeshjeve.

Bundesliga rikthehet prej kësaj të shtune në fushë, duke u bërë kampionati i parë i rëndësishëm në Evropë që synon të kthehet në normalitet, pas pandemisë koronavirus. Kryefjala e javës së 26-të është derbi i zjarrtë ndërmjet Borussia Dortmund dhe Schalke. Gjatë konferencës te verdhezinjtë, përveç maskave, trajneri Favre dhe drejtori i përgjithshëm Zorc, ruajtën edhe distancën e sigurisë.

“Lojtarët janë shumë të lumtur për rikthimin në fushë. Kemi biseduar gjatë me ta dhe nëse dikush është i shqetësuar për pandeminë, e vendos vetë nëse do të luajë apo jo. Na qan zemra sepse ky derbi meriton të luhet me tifozë, por një prej kushteve kryesore për rinisjen e kampionatit është që mbështetësit duhet të na ndjekin nga shtëpia”, u shpreh Michael Zorc, drejtor i Borussia Dortmund.

“Na mungojnë dy lojtarë si Emre Can dhe Witsel, por jemi stërvitur shumë gjatë këtyre javëve. Skuadra ka qëndruar e izoluar në hotel, duke ndjekur rregullat në mënyrë rigoroze. Kemi edhe një psikolog, prezenca e të cilit është thelbësore në këtë situatë të pazakontë për të gjithë. Për mënyrën si rrodhën ngjarjet, ideja e pesë zëvendësimeve ishte e shkëlqyer”, u shpreh Lucien Favre, trajner i Borussia Dortmund.

Derbi ndaj Dortmund është sfida më e rëndësishme për Schalke-n, edhe pse trajneri Wagner pranon se askush nuk mund të pretendojë spektakël prej rikthimit.

“Është një situatë anormale për të gjithë. Është njësoj sikur të luash pas pushimeve të verës, me vetëm një javë stërvitje. Mendoj që paraqitjet nuk do të jenë të nivelit më të lart, por jam kurioz të shoh çfarë do të ndodhë. Na vjen keq që në një derbi kaq të veçantë nuk do të ketë tifozë, por edhe me dyer të mbyllura, kjo mbetet sfida më e rëndësishme e vitit për Schalke-n”, tha David Wagner trajner i Schalke.

Të shtunën luhen gjashtë ndeshje të Bundesligës, me sfidat që vazhdojnë të dielën, ku në fushë zbret Bayern-i, ndërsa java e 26-të mbyllet me duelin Werder Bremen-BayerLeverkusen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat