Te Skënderbeu ndahen në dy grupe

Futboll

Te Skënderbeu ndahen në dy grupe

Më: 16 maj 2020 Në ora: 16:22
Te Skënderbeu ndahen në dy grupe

Skënderbeu gjen një zgjidhje alternative për të filluar përgatitjet me qëllim që nëse do të jepet përfundimisht drita jeshile nga qeveria për të rinisur kampionatin, korçarët të jenë gati dhe me më shumë kohë në këmbë për të përballuar ngarkesën. Kur gjithçka varet nga një vendim që pritet të vijë në ditët në vijim për të dhënë hapësirë për fillimin e përgatitjeve në 18 maj, drejtuesit e Skënderbeut kanë vendosur që duke respektuar të gjitha masat parandaluese për transmetimin e “COVID-19”, të stërviten në dy grupe.

“Panorama Sport” mëson se korçarët ditën e djeshme kanë zbritur në fushë të ndarë në dy pjesë. Një pjesë e lojtarëve ka qenë në Durrës nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja dhe pjesa tjetër në Korçë me zv.trajnerin Gentian Liçi. Kjo ndarje është bërë sipas vendndodhjes së lojtarëve. Të gjithë ata që janë me banim në Juglindje kanë dalë në stërvitje me krahun e djathtë të trajnerit Daja, bashkë me ta edhe Esien, Mensah dhe Randy, që kanë mbetur prej muajsh në Korçë. Ndërsa lojtarët e tjerë, duke filluar nga Dita, Daja, Jashanica, Krasniqi, Gripshi, Bregu, Berisha etj., janë vënë nën urdhrat e trajnerit bardhekuq.

Stërvitja është konceptuar më shumë në aspektin fizik dhe të rendimentit, me seanca individuale ku lojtarët qëndrojnë në respektim të protokolleve të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. Tashmë te Skënderbeu janë në luftë me kohën, teksa Daja do të përgatisë një program specifik, si kurrë më parë.

PRITSHMËRIA – Sinjali i qartë i UEFA-s që ia kalon topin qeverisë për të caktuar nëse janë kushtet e favorshme për të rinisur aktivitetet sportive, duket se shton shanset edhe te Skënderbeu, që ishte kundër nisjes së kampionatit. Nëse ndodh kështu, verdiktet do të jepen sipas renditjes aktuale. Korçarët prej kohësh kanë shprehur hapur mendimin e tyre se nëse nuk plotësohen kriteret e nevojshme të një faze përgatitore, kampionati të mbyllet për këtë sezon dhe të fillojë normalisht në shtator.

Gjithashtu, propozimi i tyre ka qenë që të gjendet një zgjidhje për sa i përket formatit të sezonit të ri. Në kushte të tilla në Korçë shpresojnë që kampionati të mos rinisë për të qenë të qetë të përgatiten për në sezonin e ri. Një strategji që i shkon për shtat Skënderbeut që shlyen edhe një tjetër vit në Europë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat