Pagat e larta po e fundosin ekipin e madh

Futboll

Pagat e larta po e fundosin ekipin e madh

Më: 20 maj 2020 Në ora: 13:48
Pagat e larta po e fundosin ekipin e madh

E përditshmja spanjolle Marca shkruan se problemi kryesor me të cilin Barcelona po përballet tani, pasi që koronavirusi ka sjellë dëme financiare në klub, janë pagat e larta të futbollistëve.

Barcelona është klubi që harxhon më së shumti para në botë për pagat e lojtarëve të vet. Klubi duhet t’i ulë këto shpenzime për t’i përballuar financiarisht dëmeve të sjella nga koronavirusi.

Katalonasit shpenzojnë 630 milionë euro në vit për pagat e lojtarëve – gjithsej 63 për qind të buxhetit total të klubit, që arrin shumën prej 1 miliard e 47 milionë eurove në vit.

Tani, blaugranët kanë parashikuar se do të fitojnë 200 milionë euro më pak për shkak të krizës së koronavirusit, duke bërë kështu që pagat e lojtarëve të arrijnë 80 për qind të buxhetit të klubit, jo 63 për qind.

Për shkak të këtyre shifrave, ekipi i parë i Barcelonës është detyruar të pranojë ulje prej 70 për qind të pagës gjatë kohës sa zgjat kriza e koronavirusit në Spanjë.

Megjithatë, ulja e pagave për këtë periudhë kohore nuk do të jetë e mjaftueshme, pasi që Barcelonës i duhet t’i ulë shpenzimet edhe më shumë.

Mënyra më e mirë për ta arritur këtë synim vlerësohet të jetë shitja e lojtarëve që nuk janë të rëndësishëm për planet e trajnerit Quique Setien. Në këtë mënyrë, klubi jo vetëm që do të hiqte shpenzimet për pagat e tyre, por edhe do të fitonte para për të transferuar lojtarë që i ka kërkuar Setien.

Por, pagat e larta të lojtarëve të Barcelonës mund të rezultojnë pengesë edhe për transferimin e tyre, pasi që edhe klubet e tjera janë dëmtuar financiarisht nga koronavirusi dhe mund të mos jenë në gjendje t’i përballojnë pagat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat