Plani optimist i Danimarkës - Bota Sot
Plani optimist i Danimarkës

Futboll

Plani optimist i Danimarkës

Më: 28 maj 2020 Në ora: 14:45
Plani optimist i Danimarkës

Drejtuesit e futbollit në Danimarkë janë optimistë se deri në fund të këtij sezoni do të jenë në gjendje për të zhvilluar ndeshjet e kampionatit, me praninë e spektatorëve nëpër shkallët e stadiumeve. Fillimisht Superliga Daneze do të rikuperojë takimin e prapambetur Aarhus – Randers dhe në vazhdim deri të martën në mbrëmje skuadrat e ligës elitare në vendin skandinav do të luajnë të gjitha ndeshjet e Javës së 25, që është edhe java e parafundit e sezonit të rregullt, përpara se ekipet të ndahen në dy grupe: 6 klubet në pjesën e sipërme të klasifikimit të përgjithshëm do të përballen ndërmjet tyre për të vendosur fatin e titullit, ndërsa 8 skuadrat e mbetura do të masin forcat mes tyre për të përcaktuar edhe ekipet që do të zbresin një kategori më poshtë.

Një gjë është e sigurt, tetë ndeshjet e para, që pas rifillimit të kampionatit do të zhvillohen me dyer të mbyllura, ndërsa në vazhdim krerët e federatës kanë në projekt për të kthyer publikun në tribunat e stadiumeve. Drejtuesit kanë planifikuar madje një rikthim të mundshëm të tifozëve, duke filluar që nga muaji korrik. Danimarka e ka përballuar mirë situatën e pandemisë së virusit COVID-19 dhe vendi skandinav pozicionohet në vendin e 47 për nga numri i të prekurve me koronavirus, me 11.480 të infektuar gjithsej, prej të cilëve kanë humbur jetën 565 persona, gjithsesi në mënyrë të kuptueshme forca e këtij virusi tashmë ka rënë ndjeshëm dhe masat shtrënguese janë lehtësuar prej kohësh.

Vetë krerët e ligës kryesore në vend kanë si pikësynim pikërisht rikthimin e fansave të shumtë përpara mbylljes së këtij edicioni të kampionatit, një vendim i vështirë por gjithashtu edhe i kuptueshëm, duke marrë në konsideratë faktin që Qeveria e Danimarkës ka preferuar të rikthejë publikun në teatër apo edhe në sallat e kinemave, natyrisht duke respektuar distancën e nevojshme në këto ambiente. Qeveria e këtij vendi në veri të Kontinentit të Vjetër ka lejuar gjithashtu edhe grumbullimet masive, deri në 500 vetë, e nga një vendim i tillë sigurisht që kanë marrë zemër edhe drejtuesit e klubeve, që shpresojnë të rikthejnë nëpër shkallët e stadiumeve edhe tifozët e ndryshëm të ekipeve.

Është diskutuar edhe mundësia për të lejuar në këto impiante çerekun apo gjysmën e kapacitetit të plotë të spektatorëve, megjithëse për hir të së vërtetës duke patur parasysh turma të tilla që përbëjnë 25% apo 50% të kapacitetit të plotë të një stadiumi mbetet një detyrë tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që fansat e shumtë të tregohen të përmbajtur dhe të ruajnë distancën, për t’u treguar treguar të kujdesshëm, në mënyrë që të mos festojnë një gol të shënuar pranë njëri – tjetrit.

Shefi ekzekutiv i Ligës Daneze të Futbollit Claus Thomsen deklaroi se do të përpiqen që të marrin masat e duhura, duke u përshtatur pikërisht me situatën apo dhe zhvillimet që do të ndodhin në parqe, apo edhe në sallat e ndryshme në teatër dhe kinema, sidoqoftë 50-vjeçari shpjegoi se si kusht kryesor për përmbushjen e objektivit për të rikthyer spektatorët në shkallët e stadiumeve mbetet pikërisht respektimi i distancës. Ndërkohë nuk mungojnë zgjedhjet alternative, për të bërë që futbollistët në fushë të mos ta ndjejnë mungesën e mbështetësve të tyre në impiantet sportive.

Kështu Aarhus synon të bëhet klubi i parë në rruzull, me një tribunë virtuale. Janë plot 22 sektorë në Tribunën Qendrore të Stadiumit Ceres Park Arena ku do të projektohet përmes një eksperience të re digjitale imazhi i tifozëve të ekipit pranë njëri – tjetrit, nëpërmjet shërbimit të video – konferencave Zoom. Për momentin në Danimarkë kampionati kryesohet nga Midtjylland që udhëheq me plot 12 pikë më tepër se Kopenhageni, ndërsa Aarhus ndjek i shkëputur në vendin e tretë. Ky edicion i kampionatit danez është planifikuar që të përfundojë më datë 26 korrik, ndërsa sezoni i ri i Superligës në Danimarkë pritet të startojë në muajt gusht ose shtator./

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat