Ish-presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, tha se do të përpiqej të nënshkruante me superyllin e PSG, Neymar, nëse do të mbante postin e dikurshëm, sepse ai është lojtari i dytë më i mirë në botë, pas Lionel Messi.
Braziliani u largua nga Blaugrana-t si transferim rekord botëror (222 milionë €) në vitin 2017, por nuk ka “ngjitur” si duhet te parizienët. 28-vjeçari nuk arriti të kthehet te kampionët e La Liga-s në fillim të sezonit 2019-2020, ndërsa raportohet se është përsëri objektiv merkatoje nga katalanasit.
Rosell ishte president, kur Barça nënshkroi me Neymar nga Santos në vitin 2013. Edhe tani, 56-vjeçari e vlerëson shumë ndërkombëtarin brazilian. “Nëse do të isha president i Barçës, do të përpiqesha të nënshkruaja me Neymar, – tha Rosell për COPE dhe “Radio Marca”. – Ai është lojtari i dytë më i mirë në botë, pas Messit, dhe përshtatet në mënyrë të përkryer me filozofinë e klubit”.
Neymar shënoi 13 gola në Ligue 1, para se kampionati francez të pezullohej për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe të mbyllej përfundimisht para kohe, me PSG kampion.