Asani: E ardhmja ime vendoset këto ditë - Bota Sot
Asani: E ardhmja ime vendoset këto ditë

Futboll

Asani: E ardhmja ime vendoset këto ditë

Më: 29 maj 2020 Në ora: 16:58
Asani: E ardhmja ime vendoset këto ditë

Jasir Asani ishte i ftuari i parë i emisionit “FanZone” në Supersport, që startoi menjëherë pas ndaljes së futbollit, ndërsa sot në emisionin e fundit ishte sërish sulmuesi nga Shkupi, që u bë pjesë e programit dhe iu përgjigj pyetjeve të panelit.

Çfarë ka ndryshuar për ju gjatë këtyre dy muajve?
Me shëndet jam shumë mirë shyqyr zotit dhe këtu nuk ka ndryshuar asgjë, pasi ka qenë çdo ditë e hapur lëvizja dhe nuk ka pasur karantinim si në shumë vende të botës.

Keni komunikuar më shokët e skuadrës te Partizani?
Shumë pak kam folur, sepse gjatë kësaj kohe jam stërvitur shumë dhe më është dashur edhe të pushoj, për të pasur formë sa më të mirë.

Vërtetë çdo gjë e hapur, por futbolli është ndalur edhe atje…
Po flitet që kampionati të rifillojë më datën 14 qershor pa tifozë, por klubet këmbëngulin që të luhet me tifozë, duke qenë se gjendja është shumë e mirë dhe e qetë. Besoj që do të nisin ndeshjet me tifozë shumë shpejt.

Kur përfundon huazimi juaj dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen?
Këtu më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë pëlqyer, ndonëse nuk kam luajtur në kampionat ende. Sot do të diskutojë menaxheri me drejtuesit e klubit dhe besoj që deri të hënën do të ketë një vendim. Unë jam optimist që klubi do të paguajë kartonin tim, për ta blerë përfundimisht.

E imagjinon dot si është të luash pa tifozë në stadium?
Është diçka shumë e vështirë, sepse nuk motivohesh dot. Unë preferoj të luaj me stadiume plot, pasi të jep tjetër kënaqësi. Sigurisht që mund të luhet edhe pa tifozë, por ndeshje nuk mund të ngrihet asnjëherë në nivelin e duhur. Vjet ne e fituam titullin me stadiumin plot si në ndeshjet jashtë, ashtu edhe në ato brenda.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat