Munishi: Ballkanin e shikoj me më ëndje sesa Barcelonën - Bota Sot
Munishi: Ballkanin e shikoj me më ëndje sesa Barcelonën

Futboll

Munishi: Ballkanin e shikoj me më ëndje sesa Barcelonën

Më: 29 maj 2020 Në ora: 20:37
Ismet Munishi

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, e ka lavdëruar skuadrën e tij duke thënë se, para se ndeshjet të ndërpriteshin shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë, ai e shikonte skuadrën e tij teksa luante futboll me më shumëëndje sesa Barcelonën.

Përderisa sezonin e kaluar kishte arritur ta siguronte mbijetesën në Ipko Superligë, Ballkani këtë sezon ka befasuar shumë tifozë të futbollit përmes paraqitjeve dhe rezultateve që i ka siguruar.

Djemtë e Munishit kanë arritur ta mbajnë pozitën e liderit të ligës për pjesën më të madhe të sezonit dhe e mbante kreun e tabelës edhe para se të ndërpritej sezoni, përkundër që dallimi mes top katër klubeve është vetëm për tre pikë.

Skuadra e Ballkanit arriti ta bëjë këtë ndryshim të madh nga sezoni i kaluar në sezonin aktual falë paraqitjeve të lojtarëve të rinj e të talentuar, të cilët drejtoheshin nga trajneri Ismet Munishi. Ky i fundit beson se paraqitjet e skuadrës së tij ishin aq mbresëlënëse, saqë ai e shikonte ekipin e tij me më shumëëndje sesa Barcelonën.

“Ndoshta duhet të organizohet një seminar dhe të merret Ballkani si shembull edhe ta shohin këto klubet e tjera, të mos xhelozojnë, por ta shohin se si është punuar mirë, në mënyrë korrekte, dhe të marrin mësim se si të shkojnë përpara”, ka thënë Munishi në emisionin sportiv “Favorit”.

“Ballkani do të vazhdojë t’i japë emocionet e njëjta si para pandemisë. Gjatë kohës së karantinës, kur i kam shikuar ndeshjet e Ballkanit, me më ëndje e kam shikuar Ballkanin se Barcelonën kohët e fundit”.

“Duhet ta them këtë shumë sinqerisht, ndoshta mund të jem edhe subjektiv sepse është skuadra ime”.

Ballkani do të kthehet në fushën e lojës më 3 qershor për ta zhvilluar ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Kosovës kundër Feronikelit, para se ta rinisë pastaj në fundjavë edhe garën në Ipko Superligën e Kosovës. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat