Munishi: Është fat që ekipet tjera nuk e dinë fuqinë e Ballkanit, nuk do të mund të flinin rehat

Futboll

Munishi: Është fat që ekipet tjera nuk e dinë fuqinë e Ballkanit, nuk do të mund të flinin rehat

Më: 29 maj 2020 Në ora: 20:46
Ismet Munishi

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka hedhur dyshim mbi qëllimin prapa vendimit për rinisjen e kampionatit në Ipko Superligën e Kosovës, duke thënë se disa klube kanë bërë presion për këtë vendim. Megjithatë, Munishi i paralajmëroi rivalët për fuqinë e skuadrës së tij.

Sezoni 2019/20 i Superligës së Kosovës u ndërpre në fillim të muajit mars shkaku i përhapjes së virusit Covid-19 në botë. Në atë kohë po bëhej garë e zjarrtë për titullin e kampionit pasi që kishin mbetur edhe 11 ndeshje deri në fund.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë ua ka lejuar kthimin e futbollistëve në seanca stërvitore dhe Federata e Futbollit ka vendosur që më 7 qershor të rinisë kampionati vendor, vendim ky që s’ishte pritur mirë nga Ballkani shkaku se në fillim s’ishin testuar lojtarët për Covid-19.
Shkaku që Ballkani ishte lider në tabelën e Ipko Superligës, në opinion interpretohej kundërshtimi i Ballkanit si tentim për ta fituar garën në tavolinë e jo në fushën e lojës. Por, Munishi thekson që kundërshtimi erdhi shkaku i mungesës së kushteve, si dhe hodhi dyshim mbi qëllimin prapa rinisjes së garës.

“Unë i kam dyshimet e mia që kampionati ka filluar për të mirë të futbollit sepse ka pasur presione të jashtëzakonshme prej disa klubeve dhe i kam rezervat e mia në këtë aspekt. Po të kishim qenë në Skandinavi, do të besoja që për të mirë të futbollit”, ka thënë Munishi në emisionin sportiv “Favorit”.

E deklaratave se Ballkani po i frikësohet garës në Ipko Superligën e Kosovës, si dhe si gjysmëfinalist i Kupës së Kosovës, Munishi iu përgjigj duke e lavdëruar skuadrën e tij për fuqinë që e ka.

“Shyqyr që s’e dinë rivalët sa të mirë jemi, sepse s’do të mundë të flinin rehat. Ata më thoshin mua se po dua të shpallem kampion në tavolinë, nuk e dinin se unë po i sakrifikoj dy trofe. Por, s’ka lidhje, sidoqoftë ne do të luftojmë fuqishëm për dy trofetë dhe jo vetëm këtë edicion”.

Ballkani do të kthehet në fushën e lojës më 3 qershor për ta zhvilluar ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Kosovës kundër Feronikelit, para se ta rinisë pastaj në fundjavë edhe garën në Ipko Superligën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat