Ish trajneri i Prishtinës: Kur vdiq Enver Hoxha Rragami na tha...

Futboll

Ish trajneri i Prishtinës: Kur vdiq Enver Hoxha Rragami na tha...

Më: 31 maj 2020 Në ora: 13:09
Ish trajneri i Prishtinës: Kur vdiq Enver Hoxha Rragami na tha...

“Ka qenë e enjte e 11 prillit 1985. Një ditë përpara zhvilluam një miqësore me Flamurtarin në ‘Qemal Stafa’, në prag të sfidës ndaj Greqisë në Tiranë. U mbyll 0-0 dhe u kthyem në Durrës.

Të nesërmen paradite bëmë një seancë stërvitje me Zhegën, pasi Rreli qëndroi në dhomë. I pari që na dha lajmin se kishte vdekur diktatori ishte Ferid Rragami, kur u fut në dhomat tona e na tha: ‘Ka mërdhif, ngordhi Daja, tani do bëhemi me makina’.

Në orën 12:00 na njoftuan për një mbledhje urgjente te mensa e konvaleshencës. Në të gjithë vendin, në të njëjtën kohë u dha njoftimi se kishte vdekur Enver Hoxha. Grumbullimi u mbyll, takimi me Greqinë u shty, u nisëm për Tiranë, për ceremoninë mortore që vijoi disa ditë”, kujton Josa, ish trajneri i Prishtinës për “Panorama Sport”.

Mirel, si ishte atmosfera para ndeshjes me polakët?

U grumbulluam sërish në konvaleshencë, te Plepat. Më 29 maj në darkë kemi ndjekur finalen Juventus-Liverpul. Nuk kuptonim çfarë kishte ngjarë dhe trajnerët që nuk na lejonin se u bë vonë e të nesërmen kishim ndeshjen. Por, pas asaj që ndodhi në Hejsel, lindi dyshimi: Do të vijë apo jo Boniek. Edhe në analizën e paradites, u diskutua çfarë do të bënim nëse ai vjen, e nëse jo, deri kur na njoftuan se ka ardhur. Në Poloni ishte ndër pikat e forta, lojtar i Juventusit bashkë me Platininë dhe ne si admirues të skuadrës italiane, e njihnim lojën e tij. Atje nuk pati mbulim personal, isha unë që do ta kontrolloja kur i afrohej portës, se ai luante pas dy sulmuesve.

Më keni treguar për një premtim, për çfarë bëhej fjalë?

Unë në Mielec i kërkova Boniekut bluzën e Juventusit. Ma premtoi të ma sillte kur të vinte në Tiranë. Para lojës në “Qemal Stafa”, bëra një foto me të, por nuk më tha asgjë, edhe unë nuk ia kujtova. As fanellat nuk i shkëmbyem pas ndeshjes, sepse si ne edhe ata e kishin problem këmbimin e tyre. Këtu ne luajtëm me bluza të reja, të kuqe, me mëngë të shkurtra nga trikotazhi i Korçës e nëse e dhuroje apo ta këmbeje, të krijonte probleme. Do ta paguaje, se më shumë ishte stema që kushtonte, pastaj “pse e dhe, ke prishur uniformën, ku ta gjejmë fanellën tjetër”, se vetëm ajo ishte edhe për takimet e tjera.

Nga një ndeshje e humbur u larguan trajnerët dhe më pas vjen Sulaj. Çfarë mbani mend?

Ne luajtëm mirë, por nuk patëm fat. Edhe këtu, ashtu si në Poloni, u orientuam që Boniek të lihej i lirë, të kishte mbulim zonal nga unë. Ata fituan me golin e tij që shënoi në të vetmin moment që u ndodh i lirë, me një gjuajtje, dhe jo nga një aksion, inkursion tipik i tij. Të nesërmen paradite, do të bëhej analiza te qendra e grumbullimit te “Qemal Stafa”. Aty na njoftuan se ishin shkarkuar trajnerët dhe ekipin e mori Agron Sulaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat