Si ia shkatërroi lufta e vitit 2001 ëndrrat këtyre futbollistëve kumanovarë

Futboll

Si ia shkatërroi lufta e vitit 2001 ëndrrat këtyre futbollistëve kumanovarë

Më: 31 maj 2020 Në ora: 15:50
Si ia shkatërroi lufta e vitit 2001 ëndrrat këtyre futbollistëve kumanovarë

Shumë histori brenda një foto. Është klubi i dikurshëm i futbollit “Demir Impex” nga fshati Vaksincë i komunës së Likovës (Kumanovë), i cili garonte në Ligën komunale të Kumanovës.

Fotografia është e sezonit 1999/2000. Ish trajneri i këtij klubi, Shaip Ramadani, ka rrëfyer për gazetarin Reshat Ibrahimi momentet më të bukura të skuadrës së tij që dikur shkëlqente me suksese.

“Në sezonin 1999/2000 ekipi ynë doli kampion në Ligën komunale të Kumanovës me 17 fitore dy barazime dhe asnjë humbje. Pastaj në kualifikime morën pjesë katër ekipe ‘Demir-Impex’, Hotla, Mërgimi dhe Kozjaku. Lojën e parë Kf ‘Demir-Impex’ e mundi Hotlën me rezultat 2:0, kurse në finale humbëm nga Mërgimi i Kumanovës me rezultat 1:0, pas një penalltie në minutën e 96-të”, kujton me nostalgji ish trajneri Ramadani.

Për fat të keq ky klub nuk ekziston më. Lufta e vitit 2001 përveç shkatërrimit të shtëpive në këtë fshat, kishte prishur ëndrrat e shumë futbollistëve të këtij klubi, i uritur për suksese.

“Në vitin 2001 shpërtheu lufta dhe ekipi është shpërbërë. Kemi garuar 15 vite dhe çdo herë jemi radhitur në krye të tabelës. Asnjëherë nuk kemi qenë më poshtë se vendi i katërt në tabelë”, tregon Ramadani.
Edhe pse kanë kaluar 20 vite nga kjo fotografi, Ramadani i mbanë mend të gjithë emrat e futbollistëve me të cilët dikur krenohej.

Në foto:Lart nga e majta në të djathtë: Shaip Ramadani, Suat Azizi (kapiten), Besnik Sadiku (portier), Burim Selmani, Ibish Misini, Florim Zeqiri, Merdi Kadriu, Vullnet Iseni.
Poshtë nga e majta në të djathtë: Samet Azizi, Labinot Saliu, Avni Ramadani, Burhan Ramadani, Gazmend Memishi dhe Orhan Bilalli./reshat ibrahimi/.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat