Çfarë shkruajnë italianët për Rashicën?

Futboll

Çfarë shkruajnë italianët për Rashicën?

Më: 31 maj 2020 Në ora: 16:45
Çfarë shkruajnë italianët për Rashicën?

Milot Rashica tashmë i ka thënë po Napolit, klubit italian i cili është duke e vëzhguar yllin e Werder Bremen dhe Kombëtares së Kosovës tash e katër vjet, sipas një gazete italiane.

Për Rashicën është përfolur vazhdimisht që prej janarit se do të largohet nga Werderi, i cili po lufton për mbijetesë në Bundesligë, duke e parë interesimin e madh të shumë klubeve evropiane.

Në mesin e tyre klube nga Bundesliga si Borussia Dortmund dhe RB Lepzing, disa klube angleze përfshirë Liverpoolin dhe Napoli në Serie A.

Dhe tani, sipas të përditshmes italiane, Corriere dello Sport, Rashica i ka thënë po drejtorit sportiv të Napolit, Cristiano Giuntoli, i cili thuhet ta ketë vëzhguar Rashicën qysh prej paraqitjeve të tij për Kombëtaren e Shqipërisë më 2016.

Napoli e ka pëlqimin e lojtarit, i cili i ka shënuar 10 gola dhe i ka dhuruar gjashtë asiste në 27 ndeshje për klubin gjerman deri tani këtë sezon, dhe tani i mbetet vetëm të arrijë marrëveshje me klubin e tij, Werderin, sipas Corriere dello Sport.

Vlera e anësorit të Kombëtares së Kosovës në treg ka rënë për shtatë milionë euro, nga 35 në 28 milionë euro, si pasojë e pandemisë koronavirus.

Ditë më parë drejtori sportiv i Werderit, Frank Bauman, e mohoi se ndonjë klub i ka trokitur në derë për shërbimet e 23-vjeçarit.

“Nuk kemi pasur kontakte me asnjë klub. Askush nuk na ka kontaktuar. Nuk ka asgjë specifike”, tha Bauman ditë më parë.

23-vjeçari nga Vushtrria është duke kaluar nëpër formë të dobët muajt e fundit dhe ka filluar të marrë kritika, në një kohë kur ka shumë thashetheme rreth të ardhmes së tij, pasi shumë klube evropiane kanë shprehur interesim për të.

Rashica është ende në kërkim të golit në Bundesligë në vitin 2020.

Hera e fundit kur Rashica shënoi gol në Bundesligë, ishte në humbjen e Werderit 6:1 kundër Bayern Munich në dhjetor.

Tani ai është në një ecuri tejet negative prej 13 ndeshjeve pa shënuar gol në ligën elitare gjermane. Ai, megjithatë, i ka 7 gola dhe 5 asiste në 24 ndeshje këtë sezon në Bundesligë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat