Dallku paralajmëron rivalët: E treta, e vërteta për Prishtinën

Futboll

Dallku paralajmëron rivalët: E treta, e vërteta për Prishtinën

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 20:41
Armend Dallku

Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, shpreson që skuadra e tij do të ketë më shumë fat në tentimin e tretë për titullin e kampionit, që i ka munguar në gjashtë sezonet e fundit.

Për të tretin sezon radhazi, gara për titullin e kampionit të Ipko Superligës së Kosovës po i afrohet fundit me dallim shumë të vogël të pikëve mes skuadrave të para në tabelë.

E sërish, Prishtina është në mesin e kësaj gare, por këtë sezon shpreson që gara të ketë përfundim tjetër, pasi që në dy sezonet e fundit e humbi titullin e kampionit në ndeshjen e fundit të sezonit.

Armend Dallku në atë kohë ishte kapiten i skuadrës, ndërsa këtë sezon po synon titullin e kampionit si trajner, përderisa ka shtuar se shpreson që Prishtina do të triumfojë në tentimin e tretë për titull.

“Ne, dy vjet rresht, pothuajse e kemi humbur finalen, por mendojmë se këtë vit do të jetë e treta, e vërteta. Duke pasur parasysh organizimin e klubit edhe futbollistët që i kam, e kemi një grup mjaft homogjen dhe kemi lojtarë që janë të etur për suksese dhe trofe. Kjo më bën të ndihem  mirë”, ka thënë Dallku në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Ne u kemi dhënë futbollistëve hapësirë brenda fushës që të shprehen. Përderisa në dy vjetët e fundit, Prishtina e mezi e arrinte golin, këtë sezon e shohim një Prishtinë më ofensive. Për mendimin tim dhe për strategjinë që unë e planifikoj,  Prishtina duhet të jetë gjithmonë ekip që sulmon, që dhuron gola, që dhuron spektakël”.

Prishtina aktualisht radhitet në pozitën e katërt në tabelën e Ipko Superligës së Kosovës, me tre pikë më pak sesa Ballkani, qëështë lider, dhe dy më pak sesa Drita, që radhitet e dyta në tabelë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat