Duka: Dy vjet më parë kemi humbur një nga njerëzit kryesorë të futbollit

Futboll

Duka: Dy vjet më parë kemi humbur një nga njerëzit kryesorë të futbollit

Më: 9 qershor 2020 Në ora: 15:12
Duka: Dy vjet më parë kemi humbur një nga njerëzit kryesorë të futbollit

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka kujtuar ish-presidentin e ndjerë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, në dyvjetorin e vdekjes së tij. Duka shkruan se përkundër që Vokrri mungon tani fizikisht, ai do të kujtohet nga të gjithë dhe se vepra e tij nuk do të shuhet kurrë.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës

Në dyvjetorin e vdekjes së tij janë bërë homazhe te varri i tij, ndërsa në mesin e figurave të shumta nga bota e sportit që e kanë kujtuar Vokrrin në këtë ditë është edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

“Dy vjet më parë kemi humbur një nga njerëzit kryesorë të futbollit, një figurë kyçe të futbollit shqiptar, Presidentin e FFK-së dhe mikun tim të dashur, Fadil Vokrrin”, shkruan Duka.

“Në këto dy vite na ka munguar shumë në të gjitha dimensionet; si drejtues, si futbollist, si mik apo qoftë edhe si familjar në familjen e tij. Gjithsesi, Fadili mungon fizikisht, por vepra e tij nuk do të shuhet kurrë, do të rikujtohet nga të gjithë ata, të cilët e kanë njohur nga afër, nga të gjithë ata të cilët e kanë parë si futbollist apo e kanë njohur si drejtues të Federatës së Kosovës”.

“Jam shumë i bindur që kishte shumë për të bërë dhe do të bënte shumë për futbollin kosovar për zhvillimin e tij. Me gjithë arritjet që pati në karrierën e tij dhe merita kryesore e tij për anëtarësimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA, gjë të cilën futbolli kosovar po e ndjen sot dhe në zhvillimet e tij”.

Vokrri e filloi karrierën e tij si futbollist me Llapin, mirëpo debutimin si futbollist profesionist e bëri me Prishtinën në vitin 1980. Karriera e tij 15-vjeçare e dërgoi atë në Partizan, Nimes, Fenerbahce, Bourges 18. Në fund të karrierës së tij, në vitin 1995, ai u pensionua në klubin Montlucon.

Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, Vokrri e mori përgjegjësinë e pozitës së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës më 16 shkurt 2008, dhe këtë pozitë e mbajti deri në vdekjen e tij.

Vokrri e shtroi rrugën për suksesin e treguar në Ligën e Kombeve, ku Kosova u promovua nga Liga D në Ligën C dhe e siguroi një vend në play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian. Falë punës së tij në FFK, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat