Klubi gjerman reagon ndaj tifozit që hoqi dorë nga anëtarësia shkaku i lojtarëve me ngjyrë

Futboll

Klubi gjerman reagon ndaj tifozit që hoqi dorë nga anëtarësia shkaku i lojtarëve me ngjyrë

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 00:58
Bundesliga

Mainz, klubi i ligës elitare gjermane Bundesliga, ka reaguar ashpër ndaj një tifozi të vet, i cili e kishte anuluar anëtarësimin në klub për shkak të lojtarëve të shumtë me ngjyrë në skuadër.

Derisa protesta të shumta kundër racizmit dhe brutalitetit policor po ndodhin në gjithë Amerikën dhe vende të ndryshe të botës si reagim ndaj vrasjes së George Floyd në Minneapolis, disa lojtarë të Bundesligës shprehen solidaritet me protestuesit në fushën e lojës.

Floyd, një 46-vjeçar me ngjyrë, vdiq pasi një polic i bardhë e shtypi me gju për tetë minuta rresht gjatë arrestimit.

Derisa tensionet janë të larta, Mainz e mori një mesazh nga përkrahësi i klubit i cili u ankua për përbërjen shumëracore të skuadrës dhe argumentoi se lojtarëve gjermanë po u mohoheshin mundësitë.

“Për disa muaj nuk jam në gjendje ta identifikoj veten me këtë klub. E kam përshtypjen se jam në Kupën e Afrikës, e jo në Bundesligën gjermane. E di çfarë do të thonë, por jo – nuk jam racist aspak”, ka thënë përkrahësi i Mainz.

Mainz iu përgjigj atij se klubi është shumë i lumtur që i ka ndërprerë lidhjet me një racist dhe theksoi se sjellja e tij është kundër parimeve dhe misionit të klubit.

Mainz tha në një komunikatë për media: “Derisa zakonisht na vjen keq kur mësojnë se dikush ka vendosur ta ndërpresë anëtarësimin në klub dhe luftojmë me pasion për secilin anëtar, në këtë rast nuk mund të shprehim asnjë keqardhje”.

“Racizmi lind kur mendimet raciste shpërndahen, jo vetëm kur dikush e quan veten racist – diçka që ndodh rrallë herë. Dhe po, ke të drejtë: ti nuk mund ta identifikosh veten me klubin tonë. Për neve, ngjyra e lëkurës apo çfarëdo karakteristikë tjetër nuk luan rol aspak. Për neve ka shumë rëndësi që dikush të jetë human”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat