Luftë e brendshme te PSG. Leonardo do Allegrin, Al-Khelaifi ka ide të tjera…

Futboll

Luftë e brendshme te PSG. Leonardo do Allegrin, Al-Khelaifi ka ide të tjera…

Më: 13 qershor 2020 Në ora: 17:23
Leonardo dhe Allegri

Ndërsa të gjithë emrat e mëdhenj të Kontinentit të Vjetër po ngrohin motorët e tyre, sepse sapo kanë filluar të luajnë përsëri, ekziston dikush, që do të duhet të presë gushtin për t’u ritakuar me fushën e blertë në një ndeshje zyrtare. PSG e fitoi kampionatin francez, megjithëse në tryezë, dhe tani me durim pret radhën e tij për të luajtur në Champions, pasi eliminoi Borussia Dortmund në 1/8 finale. Kjo nuk është një situatë e thjeshtë, sepse zhvillimi i ndeshjeve që vlejnë një sezon të tërë, pa bërë një test të rëndësishëm në gati pesë muaj, e tejkalon logjikën sportive. Imagjinoni sikur parizienët të paraqiteshin në Europë edhe në mes të një lufte të brendshme…

ALLEGRI – Ekzagjerim? Jo tamam. Kjo është situata, siç e përshkruan “L’Equipe”. Një klub i ndarë më dysh për fatin e skuadrës dhe mbi të gjitha të trajnerit. Edhe pse mbetet me përfitimin e dyshimit, pasi në Ligën e Kampionëve është ende në garë, gjermani Tuchel ka ndjekur gjurmët e paraardhësve të tij, Blanc dhe Emery, në dy sezone në Paris. Pak probleme për të sjellë në shtëpi titullin e kampionit francez, por më pas, kur vjen puna për kupën veshëgjatë, zhgënjimet vazhdojnë. Dhe në rast të një eliminimi, kur të rifillojë të luajë në Europë, fati i tij mund të nënshkruhet. Gjithashtu për shkak se drejtori sportiv i transalpinëve, Leonardo, tashmë ka në mend zëvendësuesin e përsosur: Max Allegri, i cili po i jep fund pushimit vjetor, pas pesë titujve radhazi të Serie A me Juventusin.

REZISTENCA – Nëse varej totalisht nga braziliani, trajneri livornez do të ishte caktuar që tani trajner i PSG për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, ish-lojtari i Milanit po has një rezistencë mjaft të fortë. Eshtë e vështirë të anashkalohet, duke marrë parasysh që është numri një në klub, Al-Khelaifi. Presidenti mbështet Tuchel, ndërsa Leonardo, sikurse ngulmon “L’Equipe”, ka një arsye më shumë për të provuar të sjellë Allegri në “Parce de Princes”. Ardhja e tij mund ta bindë Neymar të qëndrojë. Sulmuesi brazilian ka shprehur përsëri gatishmërinë e tij për ta lënë Parisin. Në çdo rast, muaj të komplikuar janë përpara kampionëve francezë. Dhe meqenëse nuk do të ketë fushë për t’i shpërqendruar palët, më mirë të presim shkëndija nga drejtuesit, sa i përket merkatos…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat