Munishi flet pasi e çoi Ballkanin në finale të Kupës së Kosovës për herë të parë

Futboll

Munishi flet pasi e çoi Ballkanin në finale të Kupës së Kosovës për herë të parë

Më: 17 qershor 2020 Në ora: 19:11
Ismet Munishi

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka thënë se është shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së vet, e cila e arriti finalen e Kupës së Kosovës për herë të parë në historinë e vet 73-vjeçare, pas barazimit 1:1 me Feronikelin të mërkurën.

Ballkani do të luajë në finale të Kupës së Kosovës për herë të parë në histori të klubit sepse e eliminoi Feronikelin falë golit si mysafir të shënuar nga Mirlind Daku në barazimin 1:1 në Drenas, pasi ndeshja e parë gjysmëfinale në Suharekë kishte mbaruar 0:0.

Megjithëse e pranon se skuadra e vet ka nevojë për shumë përmirësim, Munishi thotë se ndihet i kënaqur me paraqitjet e futbollistëve të vet në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale.

“Jam shumë i kënaquri me futbollistët edhe pse kemi shumë për t’u përmirësuar. Kemi qenë jashtëzakonisht të motivuar dhe tani luajmë për herë të parë në finale. U uroj të gjithëve për këtë arritje, përfshirë tifozëve”, ka thënë Munishi pas ndeshjes.

Munishi shtoi: “Kjo do të na japë vetëbesim. Na patëm fat, i cili na kishte munguar në ndeshjet e kaluar.”

I pyetur përse ishte i qetë gjatë gjithë ndeshjes, gjë që është e pazakontë për karakterin e Munishit dhe e paparë deri tani gjatë ndeshjeve të tij, ai shpjegoi: “Presim më vonë (me shpërthye). E respektoj presidentin e Feronikelit (Naser Ramaj) sepse kam punuar këtu prandaj kam qenë i qetë sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat