Apeli aprovon kërkesën e Agim Ademit për shtyrje të ekzekutimit të dënimit

Futboll

Apeli aprovon kërkesën e Agim Ademit për shtyrje të ekzekutimit të dënimit

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 13:47
Agim Ademi

Gjykata e Apelit e ka aprovuar kërkesën e Kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, për shtyrje të ekzekutimit të dënimit.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.Ademi, me 12 qershor, kishte kërkuar përsëri nga shkalla e parë shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, e cila kërkesë ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Më pas, ai ka bërë ankesë në shkallë të dytë, kundër vendimit të Themelores, duke kërkuar nga Apeli shtyrjen e ekzkeutimit të dënimit.“Gjykata e Apelit,  e ka aprovuar si të bazuar ankesën e të dënuarit A.A.  kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ED.nr.267/2020, të datës 15.06.2020.

Aktvendimi në fjalë është ndryshuar, të dënuarit i është lejuar shtyrja e ekzekutimit të dënimit me burg në kohëzgjatje prej 3 (tre) muajsh.”, thuhet në njoftimin e Apelit.Në komunikatë thuhet se, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore si dhe të gjithë dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga i dënuari, Apeli gjeti se ai është pranuar në ekzaminim në një Klinikë Emergjente, për shkak të gjendjes  jo të mirë shëndetësore, si dhe atij i është rekomanduar të pushojë, e pastaj të vazhdojë trajtimin e mëtejmë në institucionin në të cilin paraprakisht është trajtuar dhe ka historinë personale për sëmundjen.“Më këtë Gjykata konsideron se i dënuari ka nevojë për kujdes të shtuar shëndetësor, duke e plotësuar kështu kushtin për shtyrje të ekzekutimit të dënimit konform nenit 20 par.1 pika 1.1 të LESP-së, i cili nen përcakton se “ekzekutimi i dënimit me burgim mund të shtyhet me lutje të personit të dënuar, deri në shërimin e sëmundjes, nëse personi i dënuar vuan nga një sëmundje e rëndë akute”. Kjo edhe për faktin se siç është e ditur, Kosova tash e sa kohë po përballët me pandeminë Covid 19,  pandemi kjo e cila sipas eksperteve shëndetësor, në masë të madhe atakon ata që kanë sëmundje tjera përcjellëse.

Prandaj Gjykata e Apelit, konsideron së dërgimi i tij, në vuajtje të dënimit, në këto kushte dhe rrethana, do të paraqiste rrezik për shëndetin e të dënuarit, si pasoj e pamundësisë për trajtimit adekuat shëndetësor dhe rrezikut për infektim nga personat e tjerë, më çka do të cenoheshin ndjeshëm të drejtat e tij, të proklamuara më ligj.”, thuhet tutje në njoftim.

Pezullimi i ekzekutimit të dënimit për shkak të lutjes për shtyrjen e ekzekutimit është i paraparë edhe me nenin 25 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, ku thuhet se: “Lutja për shtyrjen e ekzekutimit e pezullon ekzekutimin e dënimit me burgim, derisa të merret vendimi i formës së prerë lidhur me lutjen”.

Ndryshe, në fillim të qershorit Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhëresë për shkuarje në vuajte të dënimit për kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

Sipas kësaj urdhërese, Ademi obligohej që të paraqitet më 18 qershor 2020, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.Në rast se Ademi nuk do të paraqitej vullnetarisht, atëherë sipas urdhëresës, gjykata do të lëshonte urdhërese për ndalim, arrestim dhe dërgimin me forcë në Shërbimin Korrektues përkatësisht në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Deri te lëshimi i kësaj urdhërese kishte ardhur pasi që në muajin shkurt 2020, Gjykata e Apelit ia kishte vërtetuar dënimin prej nëntë muajsh burg efektiv, që gjykata e shkallës së parë më 5 korrik 2019, ia kishte shqiptuar kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.Gjithashtu, dënimin me burg me efektiv prej një viti, gjykata e shkallës së dytë ia kishte vërtetuar edhe të akuzuarit tjetër, Muharrem Rama.

Të dy këta ishin shpallur fajtor për veprën penale “Detyrim në tentativë” , raporton “Betimi për Drejtësi”.Ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë dhe Apelit, mbrojtja e Ademit dhe Ramës i ishte drejtuar Gjykatës Supreme, me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.Mirëpo, sipas një përgjigje të Gjykatës Supreme për “Betimi për Drejtësi”, kjo lëndë ende nuk është përfunduar.“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftoj se lënda ne fjale, është pranuar ne Gjykate Supreme me date 23 prill 2020, është ndare ne pune, por ende nuk është vendosur.” – thuhet në përgjigjen e zyrtares për informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë

.Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12  korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje

.Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat