Nuk dorëzohet për titullin

Futboll

Nuk dorëzohet për titullin

Më: 20 qershor 2020 Në ora: 15:15
Nuk dorëzohet për titullin

Antonio Conte është gati për sprintin final të kampionatit. Trajneri zikaltër, i intervistuar nga “Inter TV”, në prag të ndeshjes kundër Sampdoria (rikuperim i javës së 25-të të Serie A), e fillon kështu: “Mezi po presim të fillojmë përsëri. Normale, sepse vetëm stërvitje nuk është më e mira. Ne kemi nevojë për ndeshje zyrtare. Kemi punuar shumë për të qenë gati. Na pret një fazë përfundimtare e sezonit vërtet impenjative”.

Sa i takon formacionit, me shumë mundësi do ta shohim Christian Eriksen pas sulmuesve: “Ne e kemi shfrytëzuar këtë periudhë për të punuar nga pikëpamja fizike dhe taktike. Jemi përpjekur të përmirësohemi më shumë, duke aplikuar zgjidhje të ndryshme. Le të marrim Eriksen, tani është përshtatur plotësisht. Jam i kënaqur me mënyrën se si kemi punuar, duke rafinuar njohuritë e mësuara gjatë muajve të mëparshëm. Qëllimi ynë është gjithmonë t’i përmirësojmë karakteristikat e krejt lojtarëve në skuadër”.

Zikaltrit, si gjithë të tjerët, do t’ia fillojë përsëri nga risitë e diktuara nga Covid-19, siç është mungesa e tifozëve në stadiume dhe 5 zëvendësime: “Rregullat e reja të zëvendësimeve mendoj se janë të duhurat. Ne do të luajmë çdo tri deri në katër ditë, nxehtësia do të jetë një faktor pengues, prandaj do të na duhen kaq zëvendësime. Ne kemi punuar edhe nga ky këndvështrim, duke u përpjekur t’i përziejmë të gjithë lojtarët. Jam shumë i qetë. Secili nga djemtë e mi e di se çfarë duhet të bëjë, nëse luan nga minuta e parë apo nëse hidhet në fushë si zëvendësues. Tifozët? Padyshim që ata e vuajnë pamundësinë e të qenurit në stadium. Kjo mungesë, gjithashtu, na rëndon edhe ne. Shpresojmë që kjo periudhë e ndërlikuar të kalojë, sepse kemi nevojë për një kthim në normalitet, kemi nevojë për tifozët tanë”.

Ngjeshja e ndeshjeve kërkon menaxhim perfekt të burimeve njerëzore (lojtarëve): “Planifikimi i një ndeshje në këtë periudhë kërkon organizim të kujdesshëm të ditës në fazat e ndryshme të saj, mes mëngjesit, drekës dhe pushimit. Do të kemi 13 ndeshje të ngjeshura. Kemi vendosur që lojtarët nuk do të qëndrojnë të grumbulluar, por do të flenë në shtëpitë e tyre, me përjashtim të ditës së ndeshjes. Jashtë vendit, kjo është një metodë e konsoliduar”. Ish-trajneri i Juventusit më pas flet për kundërshtarin e radhës, Sampdoria: “Ne do të përballemi me Ranieri, i cili, përveçse është një trajner i shkëlqyeshëm, është edhe mik i imi. I uroj më të mirën, por pas ndeshjes me ne!”

Fitorja e së dielës do të nënkuptojë 6 pikë larg kreut, me 12 ndeshje pa u luajtur ende. Conte shton: “Ne duam ta luajmë në maksimum fazën finale të kampionatit, pa kufij. Marzhet e gabimeve tona janë më pak të lejueshme se të atyre ekipeve para nesh. Ne kemi entuziasëm dhe pasion. Ekipi është rritur më tej, nga të gjitha pikëpamjet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat