Conte drejton gishtin

Futboll

Conte drejton gishtin

Më: 25 qershor 2020 Në ora: 14:39
Conte drejton gishtin

Rifillimi i kampionatit e gjeti Interin e Contes mjaft entuziast dhe pas fitores në ndeshjen me Sampdorian të gjithë nisën të shpresonin se mund t’ia dilnin në betejën për titull, por mbrëmjen e djeshme erdhi ai barazim që i çoi edhe më larg kreut, plot 8 pikë larg Juventusit.

Në dukje një ndeshje e lehtë, përballë një skuadre si Sassuolo, që luan mirë, por që nuk i ka mbetur asnjë objektiv konkret këtë sezon, zikaltrit “djallosën” gjithçka, duke mos shkuar më shumë se një barazim 3-3, ndonëse kaluan dy herë në avantazh.

Trajneri Conte në përfundim të ndeshjes nuk e fshehu zhgënjimin dhe drejtoi gishtin nga lojtarët, duke akuzuar se nuk mbrojtën me kujdes dhe për më tepër, shpërdoruan shumë duke mos arritur të mbyllin ndeshjen.

“Është një zhgënjim i madh, pasi kemi pasur disa mundësi të mbyllim ndeshjen dhe kemi shpërdoruar raste flagrante. Sassuolo krijoi 3-4 mundësi dhe shënoi 3 gola, ndërsa ne goditëm rreth 10 herë portën kundërshtare, për të shënuar po 3 gola. Duhet të jemi më konkretë në shfrytëzimin e rasteve, por edhe të përqendruar, pasi nuk mund të pësojmë gola të tillë. Do të mbajmë qëndrim për këtë”, deklaroi Conte pas ndeshjes.

Megjithatë të shumtë janë ata në Itali, që drejtojnë gishtin pikërisht nga tekniku zikaltër, i cili si kurrë më parë në pankinën e Interit, ndryshoi pjesën më të madhe të titullarëve, ku përveç Brozovic të dëmtuar të tjerët ishin zgjidhje e tij për të bërë “turn over”.

Lënia në stol e emrave si De Vrij e Barella, me italianin që qëndroi në pankinë gjatë gjithë ndeshjes, pasi Conte preferoi që në pjesën e dytë të hedhë në fushë të riun Agoume, u kushtoi shtrenjtë zikaltërve.

Kjo pasi pikërisht këta të dy lojtarë, bashkë me kroatin Brozoviç, kanë marrë përsipër organizimin e lojës së zikaltërve, ndërsa dje ndaj Sassuolos nuk ishte i pranishëm asnjëri, duke lënë gjithçka në dorë të Borja Valeros, fiziku i të cilit nuk garanton për 90 minuta cilësore.

Edhe zëvendësimet e kryera në pjesën e dytë nga ana e teknikut, u kritikuan jo pak nga analistët në vendin fqinj, pasi trajneri vendosi të largojë Biraghin, që deri atëherë po bënte një ndeshje mjaft të mirë, për anglezin Ashley Young, që u fut dhe shkatërroi ndeshjen me gabime prej 18-vjeçari.

Edhe Sanchez ishte duke lëvizur mirë dhe nuk kishte shfaqur aspak shenja lodhjeje, kur Conte vendosi ta ulë në stol për t’i bërë vend argjentinasit Martinez, ndërsa si rrallë më përpara, tekniku i Interit i kreu të gjithë zëvendësimet shumë herët duke mos pasur më mundësi të bëjë diçka në minutat e fundit, për të shtuar forcën sulmuese.

Kur kanë mbetur edhe 11 javë kampionat, sigurisht që në letër zikaltrit kanë ende shpresa për t’ia dalë, por praktikisht do të jetë e pamundur të rikuperohen 8 pikë ndaj Juventusit, ndaj Conte sheh t’i ikë nga duart një tjetër objektiv dhe Interi rrezikon të mbyllë një tjetër sezon pa trofe, pavarësisht revolucionit që bëri në verë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat