Guardiola: Neve na mungoi kjo gjë, Liverpool e luajti çdo ndeshje si finale - Bota Sot
Guardiola: Neve na mungoi kjo gjë, Liverpool e luajti çdo ndeshje si finale

Futboll

Guardiola: Neve na mungoi kjo gjë, Liverpool e luajti çdo ndeshje si finale

Më: 26 qershor 2020 Në ora: 10:56
Pep Guardiola

“Liverpool e luajti çdo ndeshje si të ishte finale për ta”. Pep Guardiola thotë se Manchester City i tij nuk mundi të barazohej me pasionin e “Reds”. Pra, trajneri i Manchester City pranon se të tijve, në garën për titullin e tretë radhazi në Premier League, iu mungoi diçka përtej teknikave dhe taktikave, pasioni.

Për pasojë, Liverpool u konfirmua si kampion i Anglisë të enjten. Humbja 2-1 ndaj Chelsea, në “Stamford Bridge”, e zyrtarizoi klubin nga “Anfield” si kampion, pas 30 viteve të gjata pritje. Në fakt, ky titull ishte prej kohësh i pashmangshëm, duke pasur parasysh epërsinë e madhe të pikëve në krye të renditjes.

Guardiola tha pas ndeshjes me blutë e Londrës: “Ne fituam tetë trofe me radhë, çka nuk kishte ndodhur kurrë më parë në këtë vend. Mund të ndodhë që ta humbasësh një të tillë. Ne humbëm sigurinë në qendër të mbrojtjes, sepse Vincent Kompany shkoi tek Anderlecht, ndërsa Aymeric Laporte u dëmtua. Pasi fituam ato tituj, mbase nuk kemi pasur të njëjtin pasion, si Liverpool.

Ne nuk ishim të qëndrueshëm si sezonet e mëparshme. Liverpool fitoi Ligën e Kampionëve dhe iu rrit besimi. Ata luanin çdo ndeshje si të ishte e fundit, pra një finale. Në fillim, ne nuk luajtëm kështu. Urime Liverpool-it për këtë sezon të shkëlqyeshëm. Nuk mund të harrojmë se jemi akoma në vendin e dytë në Premier League, kështu që jemi më mirë se shumë skuadra të tjera”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat