Stadiumet bosh po penalizojnë rezervat

Futboll

Stadiumet bosh po penalizojnë rezervat

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 17:16
Stadiumet bosh po penalizojnë rezervat

Tommaso Berni, portieri i tretë tek Interi që nuk ka asnjë paraqitje në gjashtë edicione, u përjashtua nga banka e rezervistëve për shkak të mospajtimeve gjatë ndeshjes me Parman, të dielën në kuadër të Serie A.

Vetëm dy xhiro të plota që nga rifillimi i ligës italiane, edhe katër trajnerë janë dënuar për protesta: Gian Piero Gasperini (Atalanta), Antonio Conte (Inter), Simone Inzaghi (Lazio) dhe Giuseppe Iachini (Fiorentina). Të tjerët që janë ndëshkuar me karton të kuq janë ndihmëstrajneri i Juventusit dhe drejtorët sportivë të Cagliarit, respektivisht Brescias. Në stadiumet që janë pa zhurmë tifozësh, arbitrat në Serie A kanë shënjestruar një grup të gjerë të anëtarëve të bankave të rezervistëve me veprim disiplinor.

“Më vjen keq. Nuk më kishte ndodhur tashmë dy vjet”, tha Inzaghi pas pushtimit të fushës gjatë fitores së Lazios 2:1 ndaj Fiorentina të shtunën. “Unë u përpoqa të ndihmoja arbitrin, sepse kishte pak kaos, por nuk isha i parespektueshëm. Unë vetëm hyra në fushë”.

Por kur arbitri kryesor Luca Banti e dërgoi Inzaghin jashtë, trajneri u përgjigj: “Jo, jo. Unë nuk do të shkoj”.

Inzaghi më vonë shpjegoi: “Nuk e kuptova që unë isha i përjashtuari”.

Me stadiume të zbrazëta nga tifozët për shkak të pandemisë së koronavirusit, kamerat televizive dhe mikrofonat janë duke kapur pothuajse gjithçka që thonë lojtarët, trajnerët dhe anëtarët e stolit gjatë ndeshjeve. Edhe kur bankat e rezervistëve janë zhvendosur në rreshtat e parë të tribunave, si në Parma kur Berni u veçua nga arbitri gjatë pjesës së dytë, zyrtarët ende mund të dëgjojnë gjithçka. Ishte hera e dytë që këtë sezon Berni u përjashtua nga banka e rezervistëve, dhe këtë herë, të paktën, dukej se motivonte skuadrën e tij. Interi shënoi menjëherë dy gola për ta kthyer disavantazhin në fitore 2:1.

Shumë lojtarë në fushë po shohin gjithashtu kartonë të kuq. Momentet pas shpërthimit të Bernit, Parma u la me dhjetë lojtarë kur mesfushori Juraj Kucka u dërgua jashtë për protesta. Kucka atëherë u bë edhe më i zemëruar dhe duhej të tërhiqej poshtë në tunel nga zyrtarët e klubit. Fiorentina, e cila ka qenë në kundërshtim me gjyqtarët në të dyja ndeshjet e saj që nga rifillimi i garave, kishte mbrojtësin Martin Caceres dhe trajnerin Iachini, që të dy ndëshkuan për protesta gjatë barazimit 1:1 me Brescian.

Pas humbjes së Fiorentinas nga Lazio, ndeshje që përfshiu një penallti të diskutueshme të dhënë për klubin romak, presidenti i klubit Rocco Commisso sugjeroi që skuadrat të ishin në gjendje të apelonin ndaj vendimeve të VAR-it.

“Nuk kemi asgjë kundër apelimit ndaj VAR-it”, tha Nicola Rizzoli, drejtori i arbitrave të Serie A. "Por ne duhet të kujtojmë se jemi pjesë e një loje mbarë botërore. Rregullat duhet të jenë të njëjta si në Itali ashtu edhe jashtë saj. Për momentin kjo nuk po diskutohet në nivelin ndërkombëtar. Ndoshta duhet të provohet, por ne nuk mund të marrim vendime të papritura, të personalizuara”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat