Reali kundër Bilbaos

Futboll

Reali kundër Bilbaos

Më: 5 korrik 2020 Në ora: 13:54
Reali kundër Bilbaos

Me 6 fitore në po kaq ndeshje të luajtura që prej rifillimit të kampionatit spanjoll Reali mori kreun e renditjes dhe është shkëputur tani me 4 pikë ndaj Barcelonës së vendit të dytë, ndërsa kur kanë mbetur edhe 5 javë për t’u luajtur deri në fund, titulli duket se ka marrë rrugën drejt Madridit.

Sot në orën 14:00 “Los Blancos” do të zbresin në fushë në ndeshjen më të vështirë ndër 5 të mbeturat deri në fund të sezonit dhe ndoshta të vetmen ku mund të lënë pikë, transfertën baske ndaj Athletic Bilbaos.

Baskët janë në garë për një vend në Europa League dhe do të jenë maksimalisht të angazhuar që të mos dalin pa pikë nga sfida e sotme në “San Mames”, një stadium ky i vështirë për çdo kundërshtar, edhe pse me shkallët e boshatisura.

Nga ana tjetër madrilenët, nëse do të arrijnë të marrin tre pikët sot, do të vrasin përfundimisht shpresat e Barcelonës për titull, sepse në 4 ndeshjet e ardhshme i pret një kalendar relativisht i lehtë, me përjashtim të përballjes me Villarealin në “Valdebebas”.

Një tjetër sfidë që do të vijë mbrëmjen e sotme, është edhe ajo e mbrëmjes mes Villarealit e Barcelonës, një përballje mjaft interesante, që ndër vite ka prodhuar emocione e spektakël.

“Nëndetësja e verdhë” ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë dhe beson ende te një vend në zonën champions, ndërsa katalanët vijnë në një situatë aspak të qetë në këtë fazë delikate të sezonit, pasi kanë fituar vetëm 3 nga 6 ndeshjet e zhvilluara që prej fillimit të qershorit, duke dorëzuar kreun dhe venitur shanset për titull.

Për më tepër, te Barcelona kanë shpërthyer edhe pakënaqësitë ndaj trajnerit Setiet, ndërsa së fundi është raportuar se edhe ylli argjentinas Lionel Messi ka vendosur të ndalë bisedimet për rinovimin e kontratës që i përfundon verën e ardhshme, transmeton SS.

Megjithatë ecuria e takimit të mbrëmjes së sotme në “Estadio de la Ceramica” do të varet shumë edhe nga rezultati i Realit pasdite ndaj Bilbaos, pasi në rast se madrilenët do të ndalen, katalanët do të jetë maksimalisht të motivuar për të marrë 3 pikët dhe për t’u rikthyer sërish në garë për titullin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat