Suarez: E kemi pothuajse të pamundur ta fitojmë La Ligën - Bota Sot
Suarez: E kemi pothuajse të pamundur ta fitojmë La Ligën

Futboll

Suarez: E kemi pothuajse të pamundur ta fitojmë La Ligën

Më: 15 korrik 2020 Në ora: 08:24
Luis Suarez

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, e ka pranuar se katalonasit e kanë tani pothuajse të pamundur ta fitojnë titullin e La Ligës për këtë sezon, titull ky që me gjasë do t’i takojë rivalit më të madh të tyre, Real Madridit.

Real Madridit i nevojiten vetëm edhe dy pikë nga dy ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit aktual për t’u shpallur kampion i La Ligës.

Nëse Los Blancos e mposhtin Villarrealin në stadiumin Alfredo di Stefano të enjten në mbrëmje, atëherë madrilenët do të konfirmohen si kampionët e rinj të La Ligës këtë sezon.

Nëse Villarreal kthehen nga kryeqyteti spanjoll me barazim ose me fitore, atëherë Real Madridi do ta ketë rastin tjetër për ta fituar trofeun në ndeshjen e së dielës kundër Leganes.

Barcelona ende ka gjasa ta ndalë Real Madridin nga titulli i 34-të i ligës elitare të futbollit në Spanjë, mirëpo gjasat e tyre tani janë të vogla, pas gabimeve të bëra që nga rinisja e sezonit.

“Nëse jemi të sinqertë, liga është pothuajse e pamundur. Është e qartë se ndeshja kundër Secillës është një ndeshje që t’i vështirëson shumë punët. Ne kishim mundësi të dilnim përpara. Ajo ditë ishte shumë e rëndësishme, po ndeshja në Vigo ishte vendimtare. Ne i humbëm mundësitë tonë të mëdha”, ka thënë Suarez.

“Nëse ne do ta kishim mposhtur Celtan, do të kishim qenë në pozitë më të mirë kundër Atleticos. Goditja e madhe ishte në Vigo, goli në minutën e fundit nga Aspas… kjo na lëndoi. Tani duhet ta mbyllim mirë garën dhe të tentojmë në Ligën e Kampionëve”.

Nëse djemtë e Quique Setien humbin pikë kundër Osasunas ose Alavesit, atëherë atyre do t’u marrë fund ëndrra për titullin e kampionit. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat