Kampionati spanjoll ul siparin

Futboll

Kampionati spanjoll ul siparin

Më: 19 korrik 2020 Në ora: 12:27
Kampionati spanjoll ul siparin

Kampionati spanjoll do të ulë siparin ditën e sotme, pasi do të zhvillohen të gjithë ndeshjet e javës së 338 dhe të fundit, ndërsa tashmë shumica e verdikteve janë dhënë dhe pak objektiva kanë mbetur ende në lojë.

Kështu Reali i Madridit u shpall kampion në mesjavë, pasi triumfoi 2-1 ndaj Villarealit dhe mori trofeun për herë të 34-t në histori, ndërsa edhe skuadrat që do të shoqërojnë “Los Blancos” në zonën Champions janë vendosur e do të jenë Barcelona, Atletico Madrid e Sevilla, që kompletojnë katërshen e parë të renditjes.

Sa i përket zonës që të çon në Europa League, është i siguruar tashmë Villareali, ndërsa Real Sociedad, Getafe, Valencia dhe Granada do të garojnë për dy vende të tjera që do të kompletojnë treshen që marrin biletën për këtë kompeticion.

Ndërkohë ka mbetur për t’u përcaktuar në javën e fundit edhe skuadra e tretë që do të bjerë në Segunda Division, pas Espanyolit dhe Mallorcës, ndërsa Leganes dhe Celta Vigo do të duelojnë në distancë për të siguruar mbijetesën.

Leganes do të presë mbrëmjen e sotme kampionët në fuqi të Realit të Madridit, me shpresën që ata nuk do të jenë kthjelluar ende nga dehja e titullit, ndërsa Celta Vigo do të udhëtojë drejt Katalunjës për t’u përballur me Espanyolin e rënë tashmë një kategori më poshtë.

Vlen të theksohet se Celta Vigo ka një pikë më shumë në renditje dhe nëse ia del të marrë maksimumin përballë një Espanyoli të pamotivuar, do të sigurojë mbijetesën pavarësisht rezultatit që do të prodhojë përballja Leganes-Real Madrid.

Në ekranin e Supersport do të vijnë 3 nga 10 sfidat e javës së fundit të kampionatit spanjoll, konkretisht Leganes-Real Madrid, Atletico Madrid-Real Sociedad dhe Sevilla-Valencia, që do të transmetohen në ekranin e Supersport 1, 5 dhe 6.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat