Sarri: Më pëlqen mënyra se si po i humbasim pikët

Futboll

Sarri: Më pëlqen mënyra se si po i humbasim pikët

Më: 25 korrik 2020 Në ora: 22:12
Maurizio Sarri

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, thotë se ndihet i inkurajuar nga mentaliteti që skuadra e tij ka shfaqur gjatë ndeshjeve të fundit, kur megjithatë Juventusi ka humbur pikë të shumta dhe mundësi për ta siguruar titullin e kampionit.

Bardhezinjtë do ta fitojnë titullin e Serisë A për herë të nëntë nëse arrijnë ta mposhtin Sampdorian në ndeshjen e së dielës, megjithatë skuadra e Sarrit e humbi një mundësi të tillë në mesjavë, kur pësoi disfatë kundër Udineses.

Ajo disfatë bëri që Juventusi ta ketë fituar vetëm njërën nga pesë ndeshjet e fundit në Serie A, pasi humbi edhe kundër Milanit, ndërsa barazoi kundër Atalantas dhe Sassuolos.

Megjithatë, Sarri ka thënë se skuadra e tij ka bërë gabime në ndeshjet e fundit për shkak të tentimeve për të sulmuar, përkundër lodhjes dhe agjendës së ngarkuar me ndeshje.

“Aspekti fizik është i njëjtë për të gjithë. Simptomat e lodhjes fizike dhe mentale janë prezente në të gjitha skuadrat. Të largosh gjithçka nga mendja dhe të bëhesh gati menjëherë për ndeshjen tjetër nuk është edhe aq e thjeshtë”, ka thënë Sarri.

“Ne e kemi humbur organizimin në ndeshje, mirëpo, nëse doni ta dini, kjo është gjithashtu një shenjë pozitive. Ne e kemi humbur strukturën për shkak të dëshirës për të sulmues, edhe kur ka qenë pothuajse e pamundur ta bësh këtë”.

“Ky është një gabim që nga ka kushtuar me epërsinë e pikëve. Por, për dallim prej herave të tjera kur kemi pësuar nga pasiviteti ynë, këtë herë ne u ndëshkuan për shkak se po tentonim të sulmojmë”.

“Më pëlqen kjo, jo humbja e strukturës, por mentaliteti ynë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat