SMS nga Amerika

Futboll

SMS nga Amerika

Më: 28 korrik 2020 Në ora: 13:23
SMS nga Amerika

 Ish-kapiteni i Apolonisë, Taulant Hysenshahaj, e la skuadrën në një moment kulmor, ende pa siguruar Superioren. Ai u largua drejt SHBA-së pas fitores 8-5 ndaj Besës, teksa klubi fierak i organizoi dhe një ceremoni mirënjohjeje dhe lamtumire. Hysenshahaj u aktivizua 130 ndeshje përgjatë 7 sezoneve me Apoloninë, ku dy kampionatet e fundit ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Mesfushori premtoi se do të largohej në Amerikë pasi ta ngjiste Apoloninë në Superiore, por shtyrja e kampionatit nga pandemia ia privoi kënaqësinë e ngritjes së trofeut.

Gjithsesi, e ka ndjekur “step by step” ecurinë e skuadrës së tij dhe pas fitores së finales me Kastriotin ka brohoritur nga Bostoni, ku jeton aktualisht: “Forcaaa, kampionëëë!” Në mesazhin e tij të lamtumirës, ish-numri 10 i Apolonisë drejtoi këto fjalë për publikun fierak: “Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që më mbështetën që në fillimet e karrierës sime, duke nisur nga presidenti, drejtuesit e klubit, stafi teknik, të gjithë trajnerët, çunat e ekipit dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e Apolonisë. Një falënderim i veçantë shkon për tifozët tanë. Jemi klubi më i mirë në Shqipëri dhe e kemi dëshmuar këtë vit me sukseset që po arrijmë, duke nisur nga moshat e deri tek ekipi i parë. Shokëve të skuadrës u uroj suksese dhe jam i bindur se do ta mbajnë fjalën që më kanë dhënë për të dalë kampionë (e mbajtën fjalën). Tani kam kaluar me statusin e tifozit të përjetshëm të Apolonisë”.

Dhe pas suksesit të Apolonisë, prej kontinentit të largët, ish-kapiteni përcjell mesazhin e radhës, pa harruar ndonjë këshillë dashamirëse për Apoloninë e Superiores. “I përshëndes nga larg të gjithë, shokët, stafin, klubin dhe u them se më mungojnë shumë. Dua t’i uroj për titullin kampion, një sukses më se i merituar për ne. Ndonëse nuk kam qenë aty, e kam shijuar edhe nga larg dhe më dukej sikur isha në fushë, në stadium, në tribunë, aq të afërta më erdhën emocionet. Një këshillë për Superioren?

Kemi një klub serioz, të mirorganizuar, që di të ndërtojë ekipin e duhur për kampionatin superior. Sipas meje, duhet të ruhet grupi aktual, por duke bërë përforcime në çdo repart me lojtarë që kanë eksperiencë në Superiore. E them këtë, sepse lojtarët aktualë, të rinj të talentuar, kanë zhvilluar një sezon shumë të ngarkuar fizikisht dhe psikologjikisht dhe koha është e shkurtër gjer në fillimin e kampionatit pasardhës. Superiorja është garë e fortë dhe shumë e vështirë, por shpresoj dhe besoj që vitin e parë Apolonia minimalisht të mbijetojë, pse jo, duke pasur si model edhe Bylisin e këtij sezoni”, deklaron nga Amerika për “Panorama Sport” ish-kapiteni i Apolonisë, Taulant Hysenshahaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat