Faruk Domi: Kosova ka rastin historik që të kualifikohet në Kampionatin Europian 

Futboll

Faruk Domi: Kosova ka rastin historik që të kualifikohet në Kampionatin Europian 

Nga: Kemajl Goca Më: 31 korrik 2020 Në ora: 13:03
Faruk Domi

Legjenda e futbollit të Kosovës, Faruk Domi, më vëmendje e përcjell futbollin e Kosovës në të gjitha rrafshet. 
Ish futbollisti i gjeneratës së artë të Prishtinës, të kohës së kapitenit Fadil Vokrri, po ashtu ka luajtur me sukses të madh edhe në ekipet tjera me renome, si Vëllaznimi nga Gjakova dhe në Trepçën nga Mitrovica. Domi ka qenë prej me të merituarve që Prishtina u ngrit në Ligën e parë Federative të ish Jugosllavisë në vitin 1983, në kohën kur e kishin trajner hungarezin Bella Pallfi. 

Njeriu që nuk kurseu asgjë për futbollin e Kosovës, i cili ka qenë pjesë e Gjeneratës së Republikës, anëtar i Bordit të Federatës së Futbollit të Kosovës, 1994-2000, në periudhën më të vështirë, kur jeta ishte në rrezik, duke dhënë kontribut të madh. Domi ka folur për kombëtaren e Kosovës, për gjasat e saj, për Superligën e Kosovës, për problemet që po shfaqen, për dyshime në kurdisje të rezultateve, për FFK-në, për klubet me renome që shumica janë në ligën e parë e jo në Superligë, për futbollin e femrave, sa po respektohet Gjenerata e Republikës dhe në përgjithësi.

“Bota sot”: Si e sheh futbollin e Kosovës në vitet e fundit?
Faruk Domi:
Që nga anëtarësimi i  Kosovës në UEFA dhe FIFA, futbolli i Kosovës ka marrë rrugëtimin e pandalshëm në krijimin e një modeli të ri duke filluar me aplikimin e standardeve të reja të cilat padyshim janë duke reflektuar ne ngritjen e cilësisë, infrastrukturës sportive, shprehive profesionale të ekipeve dhe lojtarëve, sistemin e garave, organizimin e ndeshjeve, licencimin e trajnerëve dhe gjyqtarëve, që janë bazë për një nivel tjetër të orientimit të futbollit të Kosovës drejtë atij Europian. 

Image

Padyshim se në këtë drejtim më së shumti kanë përfituar seleksioni i Kosovës i cili është pjesëmarrës në grupin C të Ligës së Kombeve dhe e ndajnë vetëm dy fitore për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian si dhe klubet më të suksesshme të ranguara në kampionatin e Superligës së Kosovës të cilave iu hapen dyert për pjesëmarrje në arenën ndërkombëtare. 
Derisa me futbollin e prezantuar të seleksionit të Kosovës të udhëhequr nga Challandes të gjithë e ndiejnë veten krenar një gjë të tillë nuk mund ta themi ende për futbollin vendor në veçanti të Superligës së Kosovës, i cili ende nuk ka arrit të gjejë dhe aplikojë reformat për avancimin e saj.

Në këtë drejtim mendoj se FFK - ja është e obliguar të gjej modelin e duhur, sidomos në ndryshimin e sistemit të garave i cili garanton cilësi. Është për të ardhur keq qe ende asnjë futbollist i Superligës nuk përfshihet në seleksionin më të mirë të Kosovës.

Sa i përket futbollit të femrave edhe ai është në rrugën e duhur po jo mjaftueshëm për rezultate të larta. Mendimi im është që edhe në futbollin e femrave duhet të themelohen grupmoshat e reja dhe shkollat e futbollit duke  bashkëpunuar me sportin shkollor të arsimit fillorë dhe të mesëm.

Kosova është një burim e pashtershëm i talenteve e cila me potencialin e vetë garanton një të ardhme të sigurtë të edhe ne nivelit ndërkombëtar.

Image

KF Prishtina 1983, Faruk Domi majtas - i pari ulur

“Bota sot”: Cila është ana e medaljes së mirë e futbollit tonë dhe anët negative?
Faruk Domi:
Padyshim që në këtë drejtim duhet lavdëruar seleksionin e Kosovës i cili me paraqitjet e veta në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare ka treguar vlera të jashtëzakonshme. Posaçërisht është shquar me kreativitet të lojës, posedimin e topit, strategji, përgjegjësi  dhe zbatime të taktikës në lojë. Kjo vlerë i atribuohet lojtarëve të cilët janë afirmuar nëpër klube të ndryshme Europiane dhe është një fat i madh për Kosovën që ka pasur dhe ka shfrytëzuar një potencial të tillë.
Vlen të theksojmë se ky sukses duhet ti atribuohet edhe selektorit Challandes i cili ka merita të jashtëzakonshme për përzgjedhjen e lojtarëve, komponimin e ekipit, strategjinë dhe zbatimin e saj. Sukses mund të konsiderohet edhe pjesëmarrja e të gjitha seleksioneve të grupmoshave dhe klubeve sportive në arenën ndërkombëtare pavarësisht suksesit.

Image

KF Vëllaznimi në vitet e 80-ta, Faruk Domi i treti ulur

Viteve të fundit  me rekomandimet dhe zbatimin e standardeve të UEFA-s futbolli në Kosovë ka arritur një nivel por jo mjaftueshëm, duke aplikuar  një  qasje  ndryshe në raport me përgjegjësit dhe detyrat që duhet të kenë klubet, futbollistët, gjyqtarët, dhe trajnerët. Lirisht mund të themi se tani ka më shumë profesionalizëm. 

Ka rënë numri i incidenteve nëpër ndeshje, ka rënë numri i sulmeve fizike ndaj gjyqtarëve, është vetëdijesuar edhe publiku ka vetëm raste të rralla të ndërhyrjeve nëpër fusha  etj. 

Ana e tjetër e medaljes negative ende konsiston, me dyshime të kurdisjeve të  ndeshjeve, etiketime të gjyqtarëve për anime dhe humbje të ndeshjeve, posaçërisht ne 5 ndeshjet e fundit te kampionateve  kur përcaktohen kampionët dhe ekipet që largohen nga një rangu garash. 

Fundi i kampionatit patjetër duhet të ketë një rrjedhë me efikase, me të qetë dhe më të rregullte duke i  eliminuar të gjitha këto dukuri negative që janë duke e prishur imazhin e futbollit tonë.

“Bota sot”: Ju si legjendë, si i komentoni akuzat e disa klubeve, që gjithmonë dështimet e tyre ia faturojnë FFK-së?
Faruk Domi:
Një faturim i tillë i adresuar ndaj Federatës së futbollit të Kosovës mendoj se është e padrejtë  dhe nuk duhet të ndodhë asnjëherë. Federata e futbollit i ka detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e veta, klubet, trajnerët, gjyqtarët, vëzhguesit dhe kontrollorët gjithashtu. Por një gjë duhet ta kenë të qartë klubet se përgjegjësia për suksese dhe dështime në radhë të parë ju takon trajnerëve për punën profesionale dhe kryesive të klubeve për organizim të përgjithshëm dhe të mirëfilltë. 
Roli i gjyqtarëve është i njohur dhe është shumë normale dhe njerëzore që mund të gabojnë me apo pa qëllim. Duhet të mësohemi që  t’ju besojmë organeve të zgjedhura dhe ato që janë të thirrura për të marrë vendime, sepse vetëm kështu do të kemi mundësi ti adresojmë problemet që kërkojnë zgjidhje meritore.

Image

KF Trepça, Faruk Domi i dyti ulur në të majtë

Ta kthejmë shikimin nga futbolli europian e ai botëror unë asnjëherë nuk  kam dëgjuar apo shikuar ndonjë interviste ku dikush dështimin e klubit të tij në radhe të parë ia adreson  gjyqtarëve  apo  institucioneve me të lartë të futbollit të një shteti. 
Pse ndodhë kjo, është shumë e qartë ata i besojnë institucioneve  dhe në të gjitha rastet dështimet i kërkojnë në radhët e tyre. Ky mentalitet duhet të instalohet tek ne duke mos etiketuar gjithnjë federatën. Federata mund të jetë fajtore vetëm nëse përzgjedhja e komisioneve përkatëse nuk është e denjë për detyrën që i është besuar, nëse  heshtë ndaj dukurive negative dhe nuk merr vendime meritore etj.

“Bota sot”: Çfarë duhet të ndërmerret në përgjithësi që futbolli të avancohet edhe më shumë
Faruk Domi:
Ngritja e cilësisë dhe avancimi i saj në futboll nuk është një proces aq i thjeshtë, është shumë komplekse dhe për arritjen e saj kërkohet një angazhim dhe një përfshirje e të gjitha strukturave që veprojnë në kuadër të federatës dhe jashtë saj. 
Këtu në radhë të parë mendohet në punën profesionale të trajnerëve, të cilët janë të thirrur që proceset stërvitore ti programojnë, organizojnë dhe realizojnë - sipas  standardeve më të larta e të reja, në radhë të parë  duke angazhuar  trajner-specialistë për të gjitha fazat  e lojës së futbollit, si dhe duke besuar më shumë në potencialet e të rinjve.

Unë mendoj se ka kaluar koha e organizimit të trajningjeve me shabllona, të papërgatitura, të stërvjetruara, pa intenzitetin e duhur etj. tani nevojitet një reformim i plotë  në procesin stërvitor i cili duhet të jetë konkret, racional, efektiv dhe i realizuar me intenzitet të lartë dhe në kushte të lojës. Në futbollin bashkëkohor nuk mjafton vetëm thirrja trajner, por ai duhet te ngritët në një nivel më të lartë psh  - Trajner –specialist  i cili do të përgatiste ekipin vetëm një fazë të caktuar të procesit stërvitor  si psh-

Përgatitja e përgjithshme dhe psiko-fizike e ekipit  apo përgatitja tekniko-taktike e ekipit etj. Vlera këto që do të reflektonin dhe ndikonin dukshëm në ngritjen e cilësisë si në aspektin individual ashtu edhe ekipor. 

Pos punës profesionale, në avancimin e futbollit ndikon edhe statusi i lojtarëve dhe ekipeve dhe është e ditur se vetëm statusi profesional garanton suksese posaçërisht në arenën ndërkombëtare.
Shoqata e trajnerëve dhe e gjyqtarëve  duhet të kenë autonomi të plotë dhe pa ndikim nga jashtë, por edhe përgjegjësi dhe  llogaridhënie duke mos lejuar në asnjë moment deformimin e vlerave dhe rolit  profesional që kanë në FFK-së.
Infrastruktura profesionale të grup moshat e reja është shumë premtuese  kjo  vlen për kategoritë e kadetëve dhe juniorëve të cilët janë pjesëmarrës në ligat unike të Kosovës. Mendoj që një gjë e tillë kishte me sjell rezultate edhe tek fatosat, dhe pionierët duke iu mundësuar edhe atyre të kenë ligën unike dhe jo nëpër grupe.

Futbolli femëror në konkurrencën e seniorëve është gjithashtu një kaptinë e veçantë e cila kërkon vëmendje dhe përkujdesje më të madhe nga të gjitha strukturat e FFK -së. Strategjia e FFK-së duhet të fokusohet edhe tek kategoritë e reja në radhe të parë duke e masovizuar futbollin e vajzave, duke bërë përzgjedhjen e duhur  dhe dukej themeluar shkollat e futbollit nëpër klube. Për momentin krahas seniorëve kishte me qenë ideale  organizimi I ligës  ne konkurrencën e juniorëve etj.
 
“Bota sot”: A është e dhimbshme që skuadrat me renome si Vëllaznimi, Trepça, Liria etj. nuk janë pjesë e elitës dhe a e varfëron më shumë futbollin tonë?
Faruk Domi:
Padyshim këto ekipe në të kaluarën kanë  qenë ndër ekipet me të mira jo vetëm në futbollin kosovar. 
Është shumë e dhimbshme që tani jo vetëm  që nuk janë pjesë e elitës së futbollit tonë por rrezikojnë  edhe humbjen e statusit të tanishëm kjo vlen për Trepçën dhe Vëllaznimin  të cilat gjatë tërë kampionatit ishin të plasuara në pjesën e poshtme të tabelës në ligën e parë të Kosovës. Nëse bazohemi në historikun dhe cilësinë e këtyre ekipeve të cilat në të kaluarën kanë qenë kryeqendra jo vetëm të futbollit Kosovar, atëherë  lirisht mund të themi që ky dështim-mossukses e varfëron shumë futbollin tonë. 

Por duhet të pranojmë se ky është për momentin  një realitet dhe varfërimi i futbollit elitar nuk  bëhet me emra por me cilësi shembulli me konkret janë rezultatet e Feronikelit, Dritës, Gjilanit dhe Ballkanit. 

Mua me dhembë zemra kur sot shoh se në çfarë niveli të ultë ka rënë futbolli në dy ekipet pjesë e të cilit kam qenë edhe unë. 
Është fjala për Trepçën ish anëtarë e ligës se parë federative dhe finalistë e kupës  në ish Jugosllavi dhe Vëllaznimi kampion i shumëfishtë, disa herë fitues i kupës dhe anëtar i ligës së dytë federative në ish Jugosllavi. 

Për mua tragjedia edhe më e madhe është se për këto  mossuksese askush nuk jep llogari, trajnerët e klubeve vijnë e shkojnë, pa asnjë përgjegjësi që duhet të lidhet me suksese apo mossuksese duke realizuar paga enorme. Kjo vlen edhe për kryetarët e klubeve të cilët largohen edhe pa u përshëndetur duke e lënë klubin në duart e askujt. Kjo dukuri nuk duhet lejuar të ndodhë, duhet të mbizotëroj korrektësia  duke u respektuar procedurat e përcaktuara sportive dhe njerëzore.

“Bota sot”: Çfarë po bën Faruk Domi?
 Faruk Domi:
 Pas përfundimit të karrierës 34-veçare në pozitën e udhëheqësit të sektorit të sportit dhe të pallatit te sportit `Shani Nushi` në Gjakovë, është e natyrshme që tani rrjedha e jetës sime ka marrë një ritëm tjetër në krahasim me dinamikën, detyrat dhe përgjegjësit që kam pasur. 

Siç është e njohur pandemia e cila ka përfshirë tërë Globin dukshëm ka ndikuar në kufizimet e lëvizjeve të çdo njeriu. Por duke e njohur natyrën time të shprehur me një dinamikë të theksuar jam munduar që të vazhdoi këtë ritëm por me një ritëm me të vogël gjithnjë duke respektuar edhe rekomandimet e organeve më të larta shëndetësore.
Kjo  dinamike ditore karakterizohet me vrapimet e rregullta në natyrë, jam shumë i pasionuar pas  notit të cilin e shfrytëzoi në liqenin e Radoniqit, por e preferoi edhe çiklizmin. Pjesën tjetër të kohës e kaloi në shoqëri me shokë e miq duke pirë kafe dhe duke diskutuar të gjitha ngjarjet me aktuale nga ato sportive. 

Politike dhe natyrisht me aktualja mbetet pandemia. Jam adhurues dhe shfletoi të gjitha revistat e përditshme përmes internetit siç janë ‘Bota sot’, ‘Gazeta Express’, ‘Zëri’, ‘Index Online’, ‘Telegrafi’ etj. Mbaj kontakte të  rregullta me miq e shoke dhe bashkëlojtar nga Amerika, Australia, Kanada, Gjermania, Zvicra, Danimarka etj. Përcjelli me endje futbollin europian elitar. Natyrisht që tani kam kohë më tepër ti përkushtohem edhe familjes.

“Bota sot”:  A synoni në të ardhmen që të përfshiheni në struktura të larta  të FFK-së si emër, si sportist i merituar?
Faruk Domi:
Ç’ është e vërteta unë plotë 6 vite kam qenë pjesë e Federatës së Futbollit të Kosovës në kohërat më të vështira 1994-2000 kur sportistët tanë u dëbuan me dhunë nga objektet sportive.  Ishin kohëra shumë të vështira, futbolli zhvillohej në fusha të improvizuara, ishim vazhdimisht të përndjekur nga policia dhe regjimi serbe por fal vendosmërisë sonë kemi arritur ta mbajmë gjallë futbollin.

Institucioni më i lartë i futbollit të Kosovës gjithnjë ka nevojë për njohës dhe vlera të futbollit të cilët kanë aftësi organizative dhe profesionale për të kontribuar apo udhëhequr edhe  postet më të larta të FFK-së. Unë kohëve të fundit jam i nxitur nga shume njohës të lojës së futbollit që të përfshihem në këto struktura duke synuar edhe postet më të larta. 

Një gjë është e qartë dhe lirisht mund ta them se Federata dhe strukturat e saj duhet të reformohen duke bërë ndryshime thelbësore në të gjitha nivelet e saj. Federata është përgjegjëse për të garantuar rregullsi  në të gjitha nivelet  e garave. 
Kjo nuk po ndodhë, parregullsitë dhe dyshimet për kurdisjet e rezultateve janë gjithnjë prezante posaçërisht në 5 ndeshjet e fundit të çdo kampionati. Kjo dukuri shumë e dëmshme penalizon shumë futbollin tonë por edhe imazhin e shtetit tonë. Federata pos tjerash duhet të respektoi statutin e saj, sepse në mesin e tyre ka individ të cilët veprojnë që 20 vite. 

Prandaj kjo dhe shumë probleme tjera janë arsyeja kryesore që sot shumë klube janë të pakënaqura dhe kërkojnë ndryshime.
 

“Bota sot”: A po harrohen Gjeneratat që i dhanë shumë futbollit në periudhat e ndryshme, sidomos të viteve te 90 –ta, ku edhe ju ishit pjese e brezit të sakrificës?

Faruk Domi: Federatës  së Futbollit të Kosovës si institucioni më i lartë i futbollit i takon përgjegjësia për mbrojtjen e vlerave të ekipeve dhe futbollistëve të cilët kanë lënë gjurmë në futbollin e Kosovës në të gjitha etapat e zhvillimit të saj. 
Futbollin e Kosovës mund ta ndajmë në tri etapa të ndryshme të zhvillimit historik të saj. 

Periudha 1922 -1990  futbolli në ish Jugosllavi, 1991-1999, futbolli në Republikën e Kosovës dhe 2000 – futbolli në shtetin e Kosovës.

Fatkeqësisht duke ecur koha shumë gjenerata kanë kaluar në harresë kemi vetëm raste individuale ndoshta edhe të rastit ku përmenden dhe respektohen këto vlera. 

Gjenerata e vetme dhe ajo më e suksesshme në të gjitha kohërat në futbollin e Kosovës KF Prishtina `ka akoma një vëmendje të madhe dhe  vetëm disa individ të saj janë kyqur në struktura të FFK-së në rolin e trajnerëve  në seleksionet e ndryshme. 
Gjenerata e sakrificës  edhe pse  kjo gjeneratë  tërthorazi përmendet nuk e gëzon respektin e duhur dhe është duke shkuar në harresë.

Kjo gjeneratë më së pakti meriton të ju pranohet dhe kompenzohet  angazhimi i tyre dhe sakrifica gjatë viteve të 90-ta.
Shtëpia më e madhe e futbollit të Kosovës  FFK-ja përkundër rrugëtimit gati 100-vjeçare ende nuk ka një mekanizëm apo ligj përmes të cilit jo vetëm që do ti mbronte dhe respektonte këto vlera por edhe do ti afirmonte ato si ne aspektin individual ashtu edhe ekipor. 

Image

Andaj strukturave më të larta të futbollit tonë do ju sugjeroja që të gjitha gjeneratat më të suksesshme futbollit të Kosovës dhe ajo e sakrificës ti trajtojnë, respektojnë por edhe ti përfshijnë në struktura meritore të FFK-së.

“Bota sot”: Kombëtarja e Kosovës është afër ëndrrës së madhe, kualifikimit në Kampionatin Evropian?
Faruk Domi:
 Sa janë gjasat reale të seleksionit të Kosovës për kualifikim në Euro 2021?  Kosova dhe futbolli i saj historikisht edhe pse nuk ka qenë pjesë e ndonjë eventi Europian apo botëror për shkak të diskriminimit që ju është bë nga ish shteti Jugosllav edhe pse kemi qenë element konstituiv i saj gjithnjë ka pasur futbollistë të kalibrit Europian. Shembulli që dëshmon këto vlera janë KF Trepça e cila arriti në finale të kupës së Jugosllavisë duke qenë edhe anëtare e elitës së futbollit ish Jugosllav, që atëherë vlerësohej nga 5 shtete më cilësore në glob. Klubi i dytë që ishte pjesë e kësaj elite ishte KF Prishtina e cila garoi në këtë elite plotë 5 vite.  

Seleksioni i Kosovës sot është një vlerë e jashtëzakonshme pse jo dhe krenaria e Kosovës. Nën udhëheqjen e strategut zviceran kemi rastin historik që të jemi pjesë e një eventi Europian nëse arrijmë të tejkalojmë dy pengesa të quajtura Maqedonisë Veriore dhe fituesi i ndeshjes Gjeorgji-Bjellorusi. 

Seleksioni ynë nuk ka dilema është më i mirë dhe më cilësor, por duhet të kemi kujdes sepse në kualifikime nuk fiton gjithmonë më i miri ka shumë elemente që ndikojnë në sukses në situata të tilla  kur luftohet  për "jetë a vdekje". 
Unë personalisht i besoj selektorit Challandes një strateg përfekt, ka arrit të bëj përzgjedhjen e duhur, të ndërtoi lojën, ti motivoi lojtarët, të ndërtoi një mentalitet fitues, të ndërtoi kompaktësinë, përgjegjësinë dhe disiplinën në loje etj.

Të gjitha këto vlera në përpikëri janë duke i zbatuar lojtarët tanë të cilët tashmë kanë përvojën e duhur sepse e gjithë përbërja na vjen nga futbolli Europian, kjo është një garanc e madhe për një kualifikim historik të futbollit. 

Nëse futbolli i Kosovës e arrin këtë synim patjetër që do të arriheshin shumë  qëllime në radhë të parë do rreshtoheshim përkrah futbollit Europian dhe në anën tjetër do të përfitonim edhe si komb duke i treguar Europës se ne jemi një popull Europian dhe me vlera Europiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat