Teuta mposht Tiranën, fiton Kupën pas 15 vitesh - Bota Sot
Teuta mposht Tiranën, fiton Kupën pas 15 vitesh

Futboll

Teuta mposht Tiranën, fiton Kupën pas 15 vitesh

Më: 2 gusht 2020 Në ora: 21:58
Foto nga ndeshja

Teuta është fituesja e Kupës së Shqipërisë në edicionin e 68-të të këtij kompeticioni. Skuadra durrsake, e drejtuar nga Edi Martini, ka arritur të marrë trofeun pasi mposhti me shifrat 2-0 Tiranën në stadiumin “Air Albania”.

Një sukses i merituar i “djemve të detit”, përballë një kundërshtari që u duk se i mungonte dëshira për të bërë atë që bëri gjatë kampionatit, ku riktheu titullin pas 11 vitesh. Goli që në minutën e 2-të nga qendërmbrojtësi Rustem Hoxha dhe në minutën e 79-të nga mesfushori me tipare sulmuese, Lorenco Vila, bënë me krahë durrsakët.

Ekipi i Martinit u fut në fushë më i karikuar dhe mori atë që kërkoi, edhe pse bardheblutë patën rastet e tyre për të barazuar ndeshjen me Ngo dhe Toraswn. Këtë herë skuadra e Emanuel Egbosë gaboi në mbrojtje, aty ku “veteranët” Vangjeli dhe Muça nuk ishin në një ditë të mirë. Kjo është Kupa e katërt në historinë e klubit durrsak, teksa më parë e kishte fituar në vitet 1995, 2000 dhe 2005.

Tashmë Tirana dhe Teuta do kenë mundësinë të rihapin sezonin 2020-2021 me finale e Superkupës, që sipas të gjitha gjasave mund të luhet më 31 gusht, por FSHF ende nuk e ka konfirmuar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat