Pensionohet Casillas

Futboll

Pensionohet Casillas

Më: 4 gusht 2020 Në ora: 14:21
Pensionohet Casillas

Iker Casillas e ka zyrtarizuar pensionimin nga karriera e tij si futbollist, që zgjati 22 vjet. Ish-portieri legjendar i Real Madridit po pensionohet në moshën 39-vjeçare, pas një arresti kardiak që e kishte pësuar më parë.

Fituesi i Kupës së Botës me Spanjën nuk ka luajtur në asnjë ndeshje me karakter garues që nga maji i vitit të kaluar, kur e kishte pësuar një arrest kardiak.

Ai ishte shëruar nga ai sulm në zemër dhe i ishte bashkuar skuadrës së Portos sërish për sezonin 2019/20, kur ishte edhe pjesë e skuadrës zyrtare të gjigantit portugez.

Megjithatë, tani Casillas e ka marrë vendimin të pensionohet përderisa ka thënë se po kërkon një sfidë të re jashtë fushës së lojës, e cila raportohet se është pozita e këshilltarit të presidentit të Real Madridit, Florentino Perezit.

“Gjëja më e rëndësishme është rruga të cilin e bën dhe njerëzit të cilët të shoqërojnë, e jo destinacioni ku arrin”, shkroi Casillas.

“Mendoj se mund të them, pa hezituar fare, se kjo ka qenë rruga e duhur dhe destinacioni i ëndrrave. Faleminderit”.

Casillas e kishte nisur karrierën si adoleshent në Real Madrid dhe kishte vazhduar duke i bërë 725 paraqitje për Los Blancos – duke u ndihmuar t’i fitojnë pesë tituj të La Ligës dhe tre tituj të Ligës së Kampionëve.

Ai gjithashtu ishte kapiten i Spanjës në Kupën e Botës 2010, të cilën e fituan spanjollët, dhe shijoi suksese edhe në Kampionatet Evropiane 2008 dhe 2012.

Një largim nga vendlindja e dërgoi atë në Portugali në vitin 2015, kur ai e nisi rrugëtimin me Porton, për të cilët i bëri 156 paraqitje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat